Site icon Telegrafi

Ujësjellësi do të aplikoj reduktime të ujit për shkak të reshjeve

Për shkak të reshjeve atmosferike ditëve të fundit, sipas Kompanisë së Ujësjellësit Rajonal “Prishtina” gjendja e ujit të papërpunuar në kanalin e “ Ibër – Lepencit” është përkeqësuar në tre ditët e fundit, për shkak të ngritjes së turbullirës, gjë që nuk lejon të trajtojmë ujë të pijshëm në kushte optimale.

Kjo gjendje vazhdon të jetë në fabrikën e trajtimit të ujit në “Shkabaj”, dhe në fabrikën për trajtimin e ujit të pijshëm në Drenas, që ujin primar e marrin nga kanali i “Iber-Lepencit”.

“Ky kanal me gjatësi prej 50 km, është i pambrojtur nga ujërat sipërfaqësore gjatë reshjeve, duke ndikuar që turbullirat në këtë kanal të jenë në vlera të larta e që na pamundëson trajtimin e ujit të pijshëm në periudhat kur kemi reshje me intensitet të lartë dhe për shkak që shfaqen probleme teknologjike dhe papastërti”, ka njoftuar kjo kompani shkruan Telegrafi.

KRU ”Prishtina” kërkon nga “Ibër- Lepenci” dhe Institucionet komunale që në territoret ku është i ndërtuar kanali, të punojnë në mbrojtjen e tij nga ujërat sipërfaqësore, që në të ardhmen të mos ballafaqohemi me ndërprerje të prodhimit të ujit në të dy fabrikat e lartcekura.

“Niveli i ujit në liqenin e Batllavës ka arritur kuotën maksimale dhe ka filluar të kapërderdhet, derisa niveli i ujit në liqenin e Badocit ditëve të fundit është rritë rreth 40 cm, por që ende vazhdon të jetë (-3.50 m) nën kuotën maksimale”.

Kompania “Prishtina” po bën përpjekje maksimale që këtë situatë ta tejkalojë me sa më pak mungesë të ujit të pijshëm te konsumatorët.

Furnizimi me ujë të pijshëm në të gjitha zonat e shërbimit po qëndron stabil, por në ditët vijuese zona të pjesshme do të ballafaqohen me mungesë të ujit të pijshëm, deri në stabilizimin e situatës me turbiditet të lartë. /Telegrafi/

Exit mobile version