Site icon Telegrafi

Mbushen Batllava e Badoci, reduktimet nuk ndalen

Pas reshjeve të dendura atmosferike në vend, niveli i ujit në liqenet akumuluese Batllava dhe Badoci, kanë shënuar ngritje të kënaqshme, prej 1 metër, por reduktimet nuk janë ndalur.

Sipas Kompanisë së Ujësjellësit Rajonal (KUR) “Prishtina”, reshjet dhe ardhjet e vazhdueshme prej lumenjve dhe përroskave direkt në liqenet akumuluese sipërfaqësore, kanë shkaktuar turbullirë të ujit në liqenin e Badocit prej nga furnizohen me ujë të pijshëm 30 për qind e konsumatorëve të kryeqytetit, por në gjendje më të mirë është liqeni i Batllavës prej nga furnizohen 70 për qind e konsumatorëve.

“Niveli i ujit në liqenin e Batllavës sot është (- 4.64 m) nën kuotën maksimale, derisa niveli i ujit në liqenin e Badocit është (- 2.89 m). Kompania ‘Prishtina’, ka qenë e detyruar që të zvogëlojë prodhimin e ujit nga fabrika e Badocit, prej 350 l/s në 150 l/s, në mënyrë që të ruhet cilësia e ujit të pijshëm””, thuhet në njoftimin për media, raporton Telegrafi.

Sipas parashikimeve teknike, një gjendje e tillë do të tejkalohet shumë shpejtë. “Meqenëse të gjithë jemi përdorues të ujit, në të njëjtën kohë jemi edhe përgjegjës për mbrojtjen e tij, dhe se dy parimet bazë për mirëmbajtjen e burimeve ujore janë ruajtja dhe mbrojtja”, theksohet në njoftimin për media të KUR “Prishtina”. /Telegrafi/

Exit mobile version