Telegrafi

Mbrojtja publikon video kur Thaçi në vitin 1999 bënte thirrje për paqe, dhe ftonte serbët të mos ikin nga Kosova

Në Hagë është duke vazhduar gjykimi ndaj ish krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Mbrojtja e ish-presidentit Thaçi është duke vazhduar me paraqitjen e disa materialeve duke mbrojtur atë.

Avokatët e Thaçit, Gregory Kehoe dhe Luka Misetiç kanë hedhur poshtë akuzat e Prokurorisë Speciale, që ai ka kryer krime gjatë vitit 1999.

Avokati Misetiç para trupit gjykues publikoi disa video të vitit 1999, ku shihej Thaçi duke takuar shume qytetarë në Kosovë, dhe duke kërkuar që të ulen tensionet dhe të mos ketë më konflikte mes qytetarëve.

“Ne duhet të jemi ata që duhet të bashkohemi, ne duhet të respektojmë të gjithë ata që duan të jetojnë të lirë. Duhet të jemi ata që nuk kanë marrë pjesë në masakra. Nuk do të lejojmë askënd që t’i mbrojë kriminelët. Ftoj serbët të mos ikin nga Kosova, të mos kenë frikë dhe ta ndihmojmë njëri – tjetrin dhe të ndërtojmë një shoqëri demokratike së bashku.”, kishte thënë Thaçi në vitin 1999.

Mbrojtja e Thaçit është duke vazhduar me publikimin e disa fakteve, kjo pritet të zgjatë rreth tri orë. /Telegrafi/