Në seancën e së hënës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, mbrojtja e të akuzuarve i ka paraqitur Gjykatës disa shkresa e video-incizime, për të cilat propozoi që të merren parasysh si prova të pranueshme.
Në këtë seancë, mbrojtësi i të akuzuarit Luan Statovci, avokati Naim Rudari, i ka dorëzuar Gjykatës faturën e lëshuar nga Eko Consulting Sh.P.K. Po ashtu, edhe mbrojtësi i të akuzuarit Sadat Shkodra, avokati Skender Musa i ka dorëzuar gjykatës një video-inicizim.
Këto prova i ka kundërshtuar prokurori Rafet Halimi, duke thënë se fatura e lëshuar nga Eko Consulting nuk ka të bëjë asgjë me aktakuzën për të cilën ngarkohen të akuzuarit.
Prokurori, si provë e kundërshtoi edhe video-incizimin, duke thënë se është kryer në mënyrë të kundërligjshme dhe në kundërshtim me Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale të Republikës së Kosovës.
Prokurori Halimi tha se ai video-incizim ishte bërë nga persona të paautorizuar, e gjithashtu gjykatës nuk i është dorëzuar edhe pajisja me të cilën është realizuar video-incizimi.
Kështu, prokurori i propozoi gjykatës që ky video-incizimi mos të merret si provë e pranueshme për shkak që nuk i plotëson kushtet për të qenë e pranueshme nga gjykata.
Në anën tjetër, avokati Musa ka thënë se video-incizimi është provë shumë e rëndëssishme madje edhe provë kundërthënëse me provat tjera të prezantuara.
Kryetari i trupit gjykues Kujtim Krasniqi e pyeti avokatin se pse nuk e ka propozuar këtë provë në fazat e mëhershme, e avokati tha se për shkak që kanë qenë të sigurt se Prokuroria nuk do ta trajtonte si provë dhe do t’i humbte vlerat e provës, kanë vendosur që ta paraqesin direkt në gjykatë.
Po ashtu, edhe avokati Rudari e mbrojtësi i të akuzuarit Berat Nika, Feim Alaj e kanë aprovuar propozimin e video-incizimit që të merret si provë në këtë gjykim.
Në këtë seancë, Prokuroria ka kundërshtuar edhe propozimin e disa shkresave nga mbrojtja e të akuzuarit Kushtrim Zogaj, avokati Granit Vokshi, duke thënë se janë në kundërshtim me të gjitha provat tjera dhe masat e veçanta tjera hetimore që janë kryer me urdhër të gjykatës.
Avokati Vokshi tha se kundërshtimet të cilat i ka paraqitur Prokuroria në raport me provat e prezantuara nga ata, janë arsyet pse këto prova duhet të merren parasysh nga gjykata pasi që këto prova shkojnë në kundërshtim me narrativën e ndërtuar nga Prokuroria dhe dëshmitë e dëshmitarëve mbi të cilat Prokuroria e mbështet aktakuzën.
Po ashtu, në këtë seancë edhe mbrojtësja e të akuzuarit Almir Abdurrahmani, avokatja Ardiana Krasniqi i ka propozuar gjykatës si prova e-mailet e përkthyera në gjuhën shqipe, përmes të cilave tha se mund të vërehet se gabimet teknike e korrigjimet kanë ndodhur nga kompania Bio n Check.
Lajmin e plotë mund ta lexoni në BetimpërDrejtësi.