Mbrojtësi i Kadri Veselit, avokati Ben Emmerson, ka përfunduar marrjen në pyetje të dëshmitarit të katërt me kodin 4748.
Intervistimi i tij është bërë në seancë të mbyllur për publikun, ndërsa pasdite dëshmitari i mbrojtur pritet të përgjigjet në pyetjet e mbrojtjes së Rexhep Selimit, avokatit Geoffrey Roberts.
Dëshmitari pritet të përfundojë dëshminë e tij të mërkurën, për të vazhduar pastaj intervistimi i dëshmitarit të pestë të prokurorisë.
Gjatë seancës së paradites, trupi gjykues ka miratuar kërkesën e mbrojtjes së Kadri Veselit, për të shtuar një dokument në listën e provave.
Një kërkesë e tillë ishte kundërshtuar nga ana e ZPS-së, megjithatë kryegjykatësi Charles Smith ka thënë se do të lejojnë shtesën e provës materiale.
‘‘Në këtë rast bëhet shumë e vështirë për gjithë palët, jo vetëm për palët po edhe për ne për t’u përgatitur si duhet, kundërshtimi i ZPS-së është i kuptueshëm megjithatë, trupi gjykues do ta lejoj shtesën e provës materiale’’, ka deklaruar ai.
Në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, deri tani kanë përfunduar dëshmitë e tre dëshmitarëve të prokurorisë.
Dëshmia e tyre nuk është bërë e ditur për publikun dhe të njëjtit kanë dëshmuar nën masa mbrojtëse./Telegrafi/