Telegrafi

Mbrojtja e Veselit: Disa persona kanë ekzagjeruar rolin e tyre në UÇK

Ben Emmerson, avokat mbrojtës i Kadri Veselit, ka thënë se disa persona kanë ekzagjeruar rolin e tyre në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës për qëllime politike.

Në ditën e dytë të gjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Emmerson ka deklaruar se disa të tjerë janë distancuar nga zhvillimet e viteve të luftës “pasi ishin tejet të dyshimta”.

“25 vjet pas traumës dhe masakrave dhe trazirave të shkaktuara, Kosova vijon të jetë vend ku gëlon thashetheme, ku qarkullojnë zëra, pretendime dhe kundërpretendime… Elemente të kësaj kulture ka shekuj, por vijojnë edhe kësaj dite”, ka thënë avokati.

“Disa persona e kanë ekzagjeruar rolin e tyre në UÇK shpesh për qëllime të aktualitetit politik të ditës, por të tjerë janë përpjekur të distancohen nga ngjarjet, sepse e kanë ditur se disa prej veprimeve të tyre kanë qenë të dyshimta, dhe mund të dilnin një ditë para një gjykate penale”, ka shtuar ai.

Sipas avokatit, UÇK-ja ishte formuar në pranverën e vitit 1998 dhe kishte anëtarë të pastërvitur.

“Në një ushtri guerile që u formua në mënyrë të shpejt në pranverën e vitit 98 dhe që përbehej nga civilë shqiptarë me armatime të pakta dhe të pastërvitur, u bënë orvatje që UÇK-ja të paraqitet si një gjë më e organizuar, më e unifikuar dhe më efektive”, është shprehur avokati i Veselit. /Telegrafi/