Telegrafi

​Mbrojtja e Thaçit e ballafaqon dëshmitarin me qëndrimet e tij për ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë

Në Dhomat e Specializuara në Hagë ka vijuar procesi i kundërpyetjeve nga mbrojtja ndaj dëshmitarit Steven Russoll.

Ish-ushtaraku dëshmoi para trupit gjykues në gjyqin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, ku ai ishte i shoqëruar nga tre përfaqësues të qeverisë amerikane. Kundërpyetjet për këtë dëshmitar pritet të vazhdojnë edhe nesër.

Gjatë seancës, avokatja e Hashim Thaçit, Nina Tavakoli, e pyeti dëshmitarin për qëndrimet e tij rreth UÇK-së dhe ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë.

Russoll shpjegoi se misioni i tyre ishte për të zbatuar Rezolutën 1244, e cila kishte rezultuar nga ndërhyrja në sovranitetin e Serbisë për të lehtësuar vuajtjet në Kosovë.

Ai shtoi se ndërhyrja kishte për qëllim të zbusë vuajtjet e njerëzimit në Kosovë.

Dëshmitari, i cili vazhdimisht ishte nën mbikëqyrjen e përfaqësuesve amerikanë, u pyet gjithashtu për deklaratën e tij ku kishte thënë se fushata ajrore e NATO-s nuk ishte një mision paqeruajtës, por synonte të impononte një rezultat.

Në këtë pikë, Russoll kërkoi më shumë kontekst për të kujtuar deklaratën e tij.

Mbrojtja vazhdoi ta pyesë atë për qëndrimin e tij gjatë intervistës me prokurorin, duke theksuar se ai kishte thënë se fushata e bombardimeve të NATO-s nuk ishte një mision paqeruajtës.

Russoll shpjegoi se ishte e vështirë për forcat ajrore të arrinin një përfundim pa praninë në terren, duke shtuar se kishte shumë shembuj historikë që mbështesnin këtë pohim.

Gjatë seancës, Russollit iu shfaq një fjalim i ish-presidentit Bill Clinton rreth bombardimeve të NATO-s.

Avokatja e mbrojtjes e pyeti nëse ky fjalim ishte në përputhje me njohuritë e tij për arsyet e ndërhyrjes së NATO-s dhe Kombet e Bashkuara. Russoll u përgjigj se kjo ishte ajo që mendonin të gjithë ata në atë kohë.

Në fund, avokatja e Thaçit e sfidoi dëshmitarin për një deklaratë të supozuar të bërë nga Thaçi gjatë një fjalimi në Gjilan, ku pretendohej se ai kishte thënë se nuk dëshironte një Kosovë multietnike.

Avokatja sqaroi se Thaçi nuk kishte bërë një deklaratë të tillë.

Gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës filloi më 3 prill 2023. Ata po akuzohen për krime lufte dhe që nga nëntori 2020, janë duke u mbajtur në qendrën e paraburgimit në Hagë./Telegrafi/