Site icon Telegrafi

Mbrojtësi i Interit humb pjesëmarrjen në Euro 2024, Spalletti nuk humb kohë dhe fton një tjetër lojtar

Italia e Luciano Spallettit, ka nisur përgatitjet për EURO 2024, ku do të provojë të mbrojë kurorën e fituar në “Wembley” në eventin e kaluar.

Mbrojtësi, Francesco Acerbi nuk ia ka dalë të lërë pas dëmtimin dhe nuk do të udhëtojë me skuadrën drejt Gjermanisë.

Lajmin e ka konfirmuar Federata Italiane e Futbollit, e cila sqaron se mbrojtësi veteran italian ka probleme dhe nuk mund të luajë në Euro 2024.

Acerbi u la pushim nga Inzaghi për më shumë se dy javë dhe dukej se kishte lënë problemet pas shpine, por nuk ka rezultuar kështu, teksa Spalletti pritet të marrë në grumbullim mbrojtësin e Juventusit, Federico Gatti.

Dëmtimi i Acerbit është padyshim një lajm i keq për trajnerin e Italisë, që ka ndryshuar edhe skemën nga 4-3-3, në 3-5-2 për t’i besuar mbrojtjes zikaltër, me Acerbin e Bastonin në mbrojtjen me tre dhe Dimarcon në krahun e majtë.

Spalletti ka grumbulluar 29 futbollistë, nga të cilët do të marrë vetëm 26 me vete në Gjermani, teksa gjasat janë që edhe Gatti të luajë shanset e tij për një vend në Euro 2024.

Italia do të nisë ndaj Shqipërisë në “Signal Iduna Park” të Dortmundit më 15 qershor. /Telegrafi/ 

Exit mobile version