Mbrojtësi i ekipit kombëtar të Bullgarisë, Strahil Popov tha se grupi A për kualifikuesit e Euro 2020 është ekuivalent, duke përjashtuar ekipin e Anglisë.
Futbollisti i Kasimpasa i është bashkangjitur kampit të lojtarëve që do të luajnë dy ndeshjet kualifikuese për evropianin e vitit të ardhshëm.
Bullgarët fillimisht do të takohen me kombëtaren e Malit të Zi dhe më pas do të luajnë me Kosovën, në stadiumin prishtinas, “Fadil Vokrri”.
“Në këto ndeshjet e ardhshme duhet të tregojmë lojëra edhe më të mira. Është gjithmonë mirë për një ekip kur ka më shumë ndeshje dhe grumbullime. Ne komunikojmë me njëri-tjetrin dhe kjo e ndihmon ekipin”.
“Shpresoj që vetëbesimi ynë të jetë në një nivel më të lartë, siç na nevojitet. Duke pasur parasysh rezultatet, ne shpresojmë që ky është rasti ynë. Kosova, Mali i Zi dhe Republika Çeke nuk janë aspak ekipe të dobëta. Përveç Anglisë, katër ekipet e tjera janë në të njëjtin nivel. Çështja kryesore është se kush do të jetë më i motivuar”, tha Strahil Popov.
Theksojmë se ndeshja mes Kosovës dhe Bullgarisë do të zhvillohet të hënën (25 mars) dhe pritet të startojë në ora 20:45. /Telegrafi/