Për 7 prillin pushtimin e Shqipërisë nga Italia, është folur dhe është shkruar aq shumë sa na i kanë dhënë të plotë tablonë e kësaj ngjarjeje të rrëndësishme të historisë. Arkiva të ndryshme, dokumentarë, fotografi, filmime dhe dokumentacione të kohës, analiza, vlerësime, kritika, intervista, gazeta, e mjaft të tjera, kanë dhënë kontributin e tyre të paktë në aspektin historik të ngjarjes.
Në këtë kontekst ka diçka që deri më tani nuk e kemi njohur aq sa duhet. Jo se kjo do të ndryshojë ndonjë gjë në rrjedhën e ngjarjeve dhe të pikëpamjeve për historinë në fjalë, por do ta plotësojë atë edhe me ato pak detaje të vogla mjaft të rëndësishme.
Fjala është për “Intermexon” e mbretit Zog një ditë pas pushtimit të vendit në qyteti grek të Larisës, aty ku ai nisi udhëtimin e gjatë, pa mbarim dhe pa kthim. Duke parë arkivat, shkrimet, gojëdhënat, fotografitë e qytetit ndoshta me një informacion jo të plotë, të paktën për familjen mbretërore shqiptare kemi shkëputur disa prej tyre.
Le të shikojmë interpretimin nga shtypi i ngjarjeve të vitit 1939 të mara nga gazetarët Nikos Papatheodhoru, Kostas Paravios dhe gazetat “Olimpos”, “Elefteria” dhe “Larisa”.
Ishte java e madhe (e shenjtë) e 1939-tës dhe në Larisa kishte një ndjenjë kërshërie dhe shqetësimi i pazakontë që kishte përfshirë të gjithë autoritetet lokale. Kurioziteti ishte i madh. Dhe për shkak se zakonisht asgjë nuk mbetet e “fshehur” për shumë kohë, filluan pëshpëritjet se një personalitet i madh në mënyrë konspirative do të vizitonte qytetin. Dyshimet shkonin deri diku afër, pasi në disa radio dhe gazeta të kohës ishte folur për Mbretin e Shqipërisë, i cili do të detyrohej të linte vendin pas një sulmi të mundshëm të Musolinit.
Autoritetet lokale i kishin përqendruar dhe fokusuar përgatitjet në stacionin hekurudhor. Kjo bëri që shumë qytetarë kureshtarë të lëviznin drejt stacionit. Atje konfirmuan se me të vërtetë do të mbërrinte Mbreti i Shqipërisë me përfaqësuesit e tij. Ndërkohë ishin informuar që do ta priste edhe ambasadori i Shqipërisë në Greqi.
Më 7 Prill 1939, pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia, duke parë se përpjekjet për një rezistencë të organizuar ishin të pamundura, Mbreti Zog u largua nga vendi dhe në konsultime me Metaxanë mori rrugën për në Larisa të Greqisë. Qeveria greke i hapi kufijtë dhe i afroi azil Mbretit dhe oborrtarëve, por i detyroi të shkonin drejt Larisës. Nuk iu lejua të shkonin në Athinë për të mos ardhur në keqkuptim me Italinë për të mos i dhënë strehim “armiqve” të saj. U ra dakord që qëndrimi të mos ishte i gjatë, por për një periudhë të kufizuar.
Mbreti Zog në drejtim të Greqisë kishte me vete gruan që dy ditë më parë kishte sjellë në jetë princin Leka të cilin e mbante vazhdimisht në duart e saj, motrat e pamartuara, Kryeministrin, ministrat, oborrtarët dhe disa njerëz të tjerë të cilët të gjithë së bashku ishin rreth 100 deri në 120 persona. Gjithashtu, ai mbarte dhe sillte me vete në atë udhëtim një sasi të madhe parash të mbledhura nga arka e shtetit, bizhuteritë e rënda dhe të çmuara të pallatit mbretëror, të cilat gjatë gjithë udhëtimit ishin vazhdimisht nën survejimin e tij.
Nga Florina u nis me tren dhe duke ndryshuar linjën në Platy arriti në mesnatë rreth orës dy në stacionin e Larisës, në të gdhirë të 8 prillit. Në stacion u prit nga zyrtarët e udhëhequr nga drejtori i Prefekturës, Stelios Vafiadhis dhe ambasadori i tij në Athinë. Prefektura i kishte organizuar dhe marrë të gjitha masat që familja mbretërore dhe shoqëruesit të strehoheshin në hotelet e qytetit.
Hoteli i sapondërtuar në qendër të Larisës me emrin “Olimpos” ishte nga më luksozët e kohës dhe ishte pronë e sipërmarësit Jorgos Gakos. Ky hotel ishte rezervuar për Mbretin dhe kryeministrin Kote. Përpara hotelit u vendos një truproje. Për pjesën tjetër të personelit ishin rezervuar edhe disa hotele të tjerë në Larisa. Pasi u sistemuan të gjithë nëpër hotelet e qytetit, familja mbretërore natën e kaloi në vagonin e trenit të sapoardhur, aty ku ishte e gjithë pasuria dhe ari i Shqipërisë.
Në të gdhirë të ditës, më 8 prill, aty rreth orës 11-të njerëzit e grumbulluar nga kërshëria u bënë dëshmitarë të një spektakli të cilin e ka përshkruar me këtë mënyrë gazetari i asaj kohe Kostas Perevos: Kur Mbretëresha dhe princeshat u larguan, përbri trenit qëndronte një kamion. Nga treni zbriti Mbreti Zog me nja 10 ushtarë shqiptarë. Ata filluan të ngarkonin kamionin me arka prej druri jo shumë të mëdha, por ngaqë mezi mbaheshin nga dy ushtarë, tregonte se ato kishin një peshë të konsiderueshme.
Zogu vëzhgonte gjithë procedurën derisa u ngarkua edhe arka e fundit. Ai mbylli portën e pasme të kamionit dhe shkoi e u ul përpara me shoferin. Dy makina të tjera morën oficerët dhe ushtarët dhe ju drejtuan hotelit. Të gjithë e kuptuan se kutitë prej druri kishin brenda thesarin dhe arin e Shqipërisë. I njëjti skenar edhe kur u bë shkarkimi arkave në hotel “Olimpos’. I njëjti interes dhe ankth nga ana e Mretit për vendosjen e tyre në dhomat e gjumit.
Pak ditë pas qëndrimit në Larisa Mretëresha papritur u sëmur dhe ishte me temperaturë. Ju afrua shërbim nga mjeku gjinekolog i qytetit Athanasios Rizos. (Emri i kësaj klinike ekziston edhe sot nga pasardhësit e tij që ushtrojnë profesionin e gjinekologut).
Thuhet se Mbreti Zog dilte shumë rrallë nga dhoma e tij e hotelit, ndërsa motrat merrnin njërën nga tre makinat që kishte marrë me vete Mbreti dhe shëtisnin në Larisa. Makinat ishin të vendosura në garazhin e Janis Strekas. Përveç Mercedesit të kuq të dhuruar nga Hitleri si dhuratë për martesë e tij, të dy makinat e tjera u përpoqën për t’i shitur. Por, shuma ishte aq e madhe sa nuk u gjet as edhe një për t’i blerë.
Për periudhën e qëndrimit në hotelin luksoz të Larisës, Mbreti Zog u bë objekt i mjaft historive, thashethemeve, intrigave, të cilat mbushnin kohën e qytetarëve larisiotë në prag lufte.
Në fillim të korrikut familja mbretërore dhe djali i vogël i porsalindur, për shkak të temperaturave të larta, u zhvendosën me lejen e Qeverisë në një vend pak më të freskët, në Portaria të Pilios, në hotelin “Theoksenos”.
Pak a shumë këto janë disa aspekte të pasqyruara ndër vite në shtypin e Larisës duke filluar qysh më 1939-tën, 1975-sën e deri më 2015-tën. Një intermexo interesante që i shtohet kontekstit të historisë dhe ngjarjeve të 1939-tës. Hulumtimi, grumbullimi dhe nxjerrja në dritë e fakteve të tilla mund t’u shërbejnë historianëve, por edhe pse jo më gjerë, gjithë njerëzve të interesuar të shoqërisë.
Të paktën Mbreti i mori me vulë dhe me firmë dhe jo vetëm të tij, por të një Qeverie të tërë, të një Parlamenti, i shëtiti në mbarë botën, por akoma edhe sot 77-të vjet më pas ato nuk janë kthyer tek sovrani! Këta miqtë e Panamasë që i kanë dhe të “tyret”, sa vjet do të kalojnë për t’i kthyer mbrapsht?