Në vitin 1953 në Jacksonsville të Floridas do të hapej restoranti, i cili do të bëhej brend botëror i hamburgerit me shije mbretërore. E prania e hamburgerit mbretëror amerikan, sot, më shumë se kurrë, po ndihet në vendin tonë.
Brendi lider i ushqimit të shpejt “Burger King”, i pranishëm në gjithë botën, tashmë do të jetë prezent edhe në vendin tonë.
“Burger King” ka hapur restorantin e parë në qendrën tregtare, “Albi Mall” në Prishtinë, nga ku është paralajmëruar se gjatë këtij viti do të hapen edhe tetë pika të tjera në gjithë Kosovën.
Me hapjen e kësaj pike janë punësuar 100 persona, ndërkohë që me hapjen e pikave të reja, numri i vendeve të reja të punës do të jetë mbi 300.
Me rastin e hapjes së kësaj pike, është thënë se bashkëpunimi i brendit të njohur amerikan dhe kompanisë kosovare “Buçaj Retail” e vlerëson lart lidhjen që ka Kosova me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Pronari i kompanisë “Buçaj Retail”, që ka sjellë “Burger King” në Kosovë, Xhevat Jusufi, ka thënë se me hapjen e këtij brendi kanë bërë që edhe kosovarët të ndihen pjesë e botës.
“Pas një procesi shumë të gjatë dhe me bashkëpunëtorët tanë arritëm që ta sjellim një brend botëror në vendin tonë dhe kështu të ndjehemi edhe ne si pjesë e botës. Brenda këtij viti planifikojmë që t’i hapim edhe 8 pika të shitjes dhe përafërsisht do t’i punësojmë rreth 300 punëtorë”.
“Ne jemi të përkushtuar si kompani që t’i kultivojmë vlerat e ‘Burger King’-ut dhe të shfrytëzojmë të drejtën tonë të franshizës që e kemi për Kosovë dhe Shqipëri që bashkërisht të ndikojmë edhe në punësime dhe në zhvillim ekonomik”, u shpreh Jusufi.
Në hapje të pikës së “Burger King” në Prishtinë ka marrë pjesë edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett, i cili tha se ky brend ndërkombëtar do të përmirësojë shërbimin ndaj konsumatorëve.
“Dëshiroj të theksoj ndikimin e bizneseve të reja që e kanë në ekonomi, veçanërisht një emër i njohur si ‘Burger King’ në një treg të ri në zhvillim siç është Kosova, një përfaqësi më tepër, një që thekson kulturën e përsosmërisë, do të nxisë kulturën e përmirësimit të shërbimit ndaj konsumatorëve dhe menaxhimin e zinxhirit të menaxhimit”, tha Kosnett.
Ndërsa, kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka treguar se vite më parë ka ligjëruar për ushtarët amerikanë në kampin “Bondsteel” dhe se aty ka shkuar dy herë në javë mbrëmjeve për të shijuar ushqimet e “Burger King”.
“Është kënaqësi shumë e madhe që tashmë nuk është e nevojshme të shkojmë në ‘Bondsteel’, t’i kalojmë të gjitha ato masat e sigurisë, të ligjërojmë në universitet që vetëm ta kemi një brend sikurse që e kemi sot këtu në ‘Albi Mall’ dhe besoj se do ta kemi edhe në pikat tjera në Kosovë”, tregon Ahmeti.
“Burger King” vjen në Kosovë pas marrëveshjes së arritur për bashkëpunim me njërën ndër kompanitë më të mëdha dhe më të suksesshme vendore, “Buçaj Retail”, e cila do të menaxhojë të gjitha pikat e “Burger King” si në Kosovë, po ashtu edhe në Shqipëri.
Kur u hap restoranti i parë në atë kohë njihej ndryshe si “Insta Burger King”.
Një vit më vonë, kompanisë i’u ndryshua emri në atë që sot e njohin të gjithë “Burger King”, kurse në vitin 1957 “Burger King” lansoi produktin e tij më të famshëm “Whopper”, produkt ky i cili edhe sot është produkti identifikues i kompanisë.
Me hapjen e këtyre restoranteve, “Burger King” dhe “Buçaj Retail” do të hapin më shumë vende të reja të punës, të cilat do t’i ofrojnë qytetarëve një mundësi të artë për të ndjekur dhe zhvilluar një karrierë të suksesshme, në fushën e ushqimit të shpejtë, sipas standardeve dhe kushteve botërore të “Burger King”. /Telegrafi/