Site icon Telegrafi

Mbreti i drogës nga Kolumbia ekstradohet në SHBA – por kush ishte Otoniel, njeriu që konsiderohej si trafikanti më i rrezikshëm në botë?

Kolumbia ka ekstraduar në SHBA baronin e drogës të bandës më të madhe të krimit në vend, ka njoftuar presidenti i Kolumbisë.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, presidenti Iván Duque tha se Dairo Antonio Úsuga, i njohur më mirë si Otoniel, ishte trafikanti më i rrezikshëm në botë.

Otoniel udhëhoqi kartelin e Klanit të Gjirit dhe kërkohet në SHBA për akuzat e trafikut të drogës.

Kapja e tij në tetor i dha fund një kërkimi shtatëvjeçar dhe muajin e kaluar Gjykata e Lartë e Kolumbisë miratoi ekstradimin.

Klani i Gjirit trafikonte midis 180 dhe 200 ton kokainë në vit, sipas autoriteteve kolumbiane.

Duke shpallur ekstradimin, Duque e krahasoi Otoniel me bosin famëkeq kolumbian të drogës Pablo Escobar.

“Ky ekstradim tregon se askush nuk është mbi shtetin kolumbian”, ka thënë ai në një video-mesazh, duke akuzuar Otoniel për vrasjen e drejtuesve të shoqërisë civile dhe oficerëve të policisë.

Para kapjes së tij, Otoniel ishte njeriu më i kërkuar i Kolumbisë dhe qeveria kishte ofruar një shpërblim 800,000 dollarë për informacion rreth vendndodhjes së tij, ndërsa SHBA kishte vendosur një shpërblim prej 5 milionë dollarë për kokën e tij.

Klani i Gjirit operon në shumë provinca dhe ka lidhje të gjera ndërkombëtare, është i angazhuar në kontrabandën e drogës dhe njerëzve, dhe jo vetëm.

Ai besohet se ka rreth 1800 anëtarë të armatosur, të cilët janë rekrutuar kryesisht nga grupet paraushtarake të ekstremit të djathtë.

Otoniel përfundimisht u kap në strehën e tij rurale në provincën Antioquia në Kolumbinë veri-perëndimore në tetor, afër kufirit me Panamanë në një operacion që përfshinte 500 ushtarë të mbështetur nga 22 helikopterë. /Telegrafi/

Exit mobile version