Zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Seibert, ka thënë se Mbreti i Arabisë Saudite, Salman bin Abdulaziz, nuk do të marrë pjesë në samitin G20 në Hamburg.
Ky samit do të mbahet në datat 6-7 korrik.
Zëdhënësi, Steffen Seibert, ka thënë se qeveria saudite e ka njoftuar Berlinin se mbreti 81 vjeçar, nuk do të marrë pjesë në këtë samit.
Seibert nuk ka përmendur ndonjë arsye për anulimin e pjesëmarrjes.
Burime diplomatike nga Arabia Saudite i kanë thënë DPA-së, se anulimi është i lidhur me konfliktin e Arabisë Saudite me Katarin.
Në qershor Arabia Saudite dhe vendet fqinje, Bahrenini, Emiratet e Bashkuara dhe Egjipti i kanë prishur marrëdhëniet me Katarin, të cilin e akuzojnë për mbështetje të terrorizmit.
Këto vende po kërkojnë që Katari t’i jap fund mbështetjes së Vëllazërisë Myslimane, të ndalojë transmetimin e Al-Jazeera, të zvogëlojë marrëdhëniet diplomatike me Iranin dhe të mbyllë një bazë ushtarake turke në Katar.
Ministri i financave i Arabisë Saudite, Mohammed al-Jadaan, do të jetë pjesë e samitit në vend të Mbretit Salman. /Rel/