Real Madrid ka fituar 2-0 si mysafirë i Espanyolit në takimin e xhiros së katërt në La Liga.
Skuadra e Zinedine Zidane ka shënuar edhe fitoren e katërt në po kaq ndeshje në kampionatin spanjoll, La Liga, pasi mposhtën Espanyolin me rezultat 2-0.
Pjesa e parë e takimit ishte disi e barabartë me dy skuadrat që patën disa gjysmë raste për shënim, por kur pritej fishkëllima e fundit e gjyqtarit ishte mesfushori James Rodriguez, i cili shënoi golin e epërsisë.
Rodriguez shënoi një gol të bukur nga distanca në minutën e 45+, pas një asistimi të mesfushorit gjerman, Toni Kroos.
Në pjesën e dytë, futbollistët e Zinedine Zidane ngjallën sulmet e tyre, duke kërkuar dyfishimin e epërsisë dhe kjo edhe ndodhi.
Kësaj radhe ishte sulmuesi francez, Karim Benzema, i cili shënoi një gol të bukur nga afërsia.
Goli i sulmuesit francez erdhi në minutën e 71-të, pas asistimit të Lucas Vazquez.
Deri në fund të takimit kishte edhe disa gjysmë raste për të dy skuadrat, por rezultati mbeti i pandryshuar dhe kështu Reali shënoi një fitore mjaftë të vlefshme për vazhdimin e kampionatit. /Telegrafi/
https://www.youtube.com/watch?v=ah2Pxc4xdTs
https://www.youtube.com/watch?v=7IqBhhPABBk