Telegrafi

Mbretërit nuk dinë për humbje në La Liga, fitojnë thellë ndaj Leganes

Real Madrid (Getty Images)

Real Madridi ka fituar me rezultat të thellë 4-1 ndaj Leganes në ndeshjen e vlefshme për javën e tretë të La Ligas.

Mbretërit kanë vazhduar serinë pozitive pasi kanë fituar edhe ndeshjen e tretë nga tri të zhvilluara deri më tani në kampionatin elitar spanjoll.

Ramos, Modric dhe Navas para ndeshjes me çmimet e fituara nga UEFA (Getty Images)

Pjesa e parë e ndeshjes i takoi vendasve, por në fund të dy skuadrat arritën ta tundin rrjetën.

Fillimisht ishin Mbretërit, të cilët kaluan në epërsi me anë të Gareth Bale (18′), por ishte Guido Carillo (24′), i cili barazoi nga penalltia për 1-1.

Festa e Bale pas golit të parë (Getty Images)

Në pjesën e dytë, djelmoshat e Julen Lopeteguit arritën të dominojnë totalisht duke arritur t’i shënojnë tri gola dhe ta vulosin fitoren.

Ishte sulmuesi Karim Benzema (50′), i cili shënoi për 2-1 pas asistimit të Marco Asensios, ndërsa francezi shënoi edhe për 3-1 në minutën e 61-të pasi u shërbye nga Luka Modric.

Benzema shënoi dy gola të bukur (Getty Images)

Në minutën e 66-të erdhi edhe goli i katërt për Realin, i cili u shënua nga penalltia nga Sergio Ramos duke vulosur fitoren dhe rezultatin përfundimtar.

Ramos shënoi golin e fundit nga pika e bardhë (Getty Images)

Pas kësaj fitore, Reali e sheh veten në pozitën e parë me nëntë pikë, ndërsa Leganes renditet në vend të 19-të me vetëm një pikë.

Në ndeshjen e radhës, Los Blancos udhëtojnë drejt Athletic Bilbaos, teksa Leganes e presin Villarrealin. /Telegrafi/