Site icon Telegrafi

Mbretëria e shokut Kim: Çfarë duhet të dini rreth Koresë së Veriut dhe programit të saj bërthamor

Imazhet e reja satelitore sugjerojnë se Koreja e Veriut mund të përgatisë edhe një test tjetër bërthamor – i gjashti në dekadën e fundit dhe mbase më i fuqishmi. Ndërsa presim të shohim se si do të shpaloset një krizë e mundshme me Korenë së Veriut, ja një vështrim prapa në kohë, në historinë e kësaj “mbretërie të vetmuar” enigmatike dhe fushatës së saj për t’u bërë një komb i armatosur bërthamor.

Që kur udhëheqësi i saj aktual, Kim Jong-Un, mori pushtetin në vitin 2011, Koreja e Veriut ka shtuar përpjekjet e saj për të ndërtuar një raketë bërthamore me rreze të gjatë veprimi, në gjendje që të godasë objektiva anembanë globit. Në një shfaqje të forcës që ka për qëllim dekurajimin e Koresë së Veriut nga kryerja e një prove tjetër, Shtetet e Bashkuara kohët e fundit urdhëruan një aeroplanmbajtës dhe anije të tjera luftarake në Gadishullin Korean, shkruan History Channel.

Ndarja e Koreve është një trashëgimi e Luftës së Ftohtë

Japonia aneksoi gadishullin Korean në vitin 1910 dhe vendi i kaloi 35 vitet e ardhshme nën sundimin ushtarak japonez. Me humbjen e Japonisë në Luftën e Dytë Botërore, trupat e SHBA u vendosën në pjesën jugore të gadishullit, ndërsa forcat sovjetike siguruan zonën në veri të paralelit 38. Ndërsa komunizmi mori fort në kontroll veriun, Kim Il-Sung (gjyshi i Kim Jong-Un) u bë kryeministri i parë i Republikës Popullore Demokratike të Koresë (DPRK) në vitin 1948. Ndërkohë, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi zgjedhjet e mbajtura në Jug, miratimin e një kushtetute dhe krijimin e Republikës së Koresë, me Seulin si kryeqytet të saj.

Që nga Lufta e Koreve, Koreja e Veriut dhe Koreja e Jugut kanë mbetur shumë botë larg mes tyre – edhe pse i ndan vetëm një tokë 2.5 milje

Tensionet midis dy qeverive dhe aleatëve të tyre të fuqishëm shpërthyen në luftë në vitin 1950, kur trupat e Koresë së Veriut, të mbështetura nga sovjetikët, pushtuan Jugun. Luftimet në Luftën Koreane, që mori të paktën 2.5 milion jetë njerëzish, përfundoi në korrik të vitit 1953, me gadishullin sërish të ndarë në dy shtete armiqësore mes tyre. Një zonë e demilitarizuar me gjatësi 2.5 milje ndan Korenë e Veriut nga Korea e Jugut, që ndjek paralelin 38 për 150 milje përgjatë gadishullit. E krijuar sipas kushteve të armëpushimit të vitit 1953, ajo që dikur ishte fushëbetejë e përgjakur, tani është rezervë natyrore, e mbuluar nga pyjet, estuaret dhe ligatinat që strehojnë qindra lloje zogjsh, peshqish dhe gjitarësh, transmeton bota.al.

Një familje e vetme ka qeverisur Korenë e Veriut përgjatë gjithë ekzistencës së saj

Kim Il Sung qëndroi në detyrë deri në vdekjen e tij në vitin 1994. Gjatë mbretërimit të tij, pothuajse 50 vjeçar, u shfaq një kult i fuqishëm i personalitetit, përreth njeriut që shumica e koreano-veriorëve e quanin Udhëheqësi i Madh, Udhëheqësi Qiellor dhe madje edhe “Dielli”. U prezantua një kalendar i ri, i cili përdorte vitin 1912 – vitin e lindjes së Kim Il-Sung – si vit i parë. Çdo shkollë fillore në vend ishte e pajisur me një dhomë të veçantë stërvitore, ku fëmijët e vegjël indoktrinoheshin me mësimet e regjimit.

Në vitin 1998, kushtetuta e Koresë së Veriut u ndryshua për të shpallur Kim Il-Sung, si Presidentin e Përjetshëm të Republikës dhe përvjetorët e lindjes dhe vdekjes së tij konsiderohen festa kombëtare.

Djali i tij, Kim Jong-Il, ishte qendër e një kulti të ngjashëm, teksa shumë koreanoveriorë ishin të bindur që ai, qe aq i fuqishëm sa që mundej edhe të kontrollonte motin. Qindra statuja përkujtimore të dedikuara për Kimët mbushin fshatrat, dhe pavarësisht një serie të tmerrshme të zive të bukës dhe varfërisë sistemike, një mauzoleum masiv u ndërtua në periferi të Phenianit për të strehuar trupat e balsamosur të Kim Il-Sung dhe Kim Jong-Il.

Koreja e Veriut quhet shpesh “mbretëria e vetmuar”

Koreja e Veriut ka mbetur e izoluar nga bashkësia ndërkombëtare, teksa operacionet e saj qeveritare, ekonomike dhe të tjera janë të mbështjella me fshehtësi. Kufizimet për udhëtimet brenda ose jashtë vendit dhe një shtyp i kontrolluar fort e ndihmojnë këtë izolim. Politika e jashtme e Koresë së Veriut është e bazuar në dy aleanca të rëndësishme, me Kinën dhe Bashkimin Sovjetik, si dhe armiqësinë e vazhdueshme ndaj Koresë së Jugut dhe Shteteve të Bashkuara. Rënia e Bashkimit Sovjetik në fillim të viteve 1990 e la Kinën si aleatin më të rëndësishëm të vendit, por deklarata sfiduese dhe veprimeve agresive të Kim Jong-Un, udhëheqësi i ri dhe në dukje i çrregullt mendërisht, e kanë dobësuar vazhdimisht këtë aleancë. Kohët e fundit, Koreja e Veriut dhe Rusia kanë zhvilluar lidhje gjithnjë e më të ngushta diplomatike (dhe ekonomike). Në vitin 2017, Rusia kryesonte listën e vendeve miqësore ndaj Koresë së Veriut për të tretin vit radhazi, sipas agjencisë së lajmeve shtetërore të Koresë së Veriut.

Kërkimi i armëve bërthamore nga Koreja e Veriut nuk është gjë e re

Përkundër faktit se Koreja e Veriut në përgjithësi është një vend i varfër dhe i izoluar, ajo ka ndjekur kërkimet bërthamore për dekada të tëra. përpjekjet për të blerë një armë funksionale bërthamore filluan gjatë mbretërimit të Kim Il-Sung dhe ngritën mbi themelet e teknologjisë sovjetike të epokës së Luftës së Ftohtë. Sipas analistëve të zbulimit dhe ekspertëve të raketave, disa inxhinierë rusë që kërkonin punë pas Bashkimit Sovjetik u shpërngulën në Korenë e Veriut në fillim të viteve ’90, dhe ata ndihmuan në përparimin e programit bërthamor të vendit.

Në fillim të shekullit 21, dolën raporte për objekte bërthamore nëntokësore si dhe studime të vazhdueshme për prodhimin e uraniumit të pasuruar

Qeveria e Kim Jong-Il zhvilloi testin e parë bërthamor nëntokësor në vend në vitin 2006, duke shkelur një premtim të mëhershëm, për t’iu përmbajtur Traktatit të Mos-Përhapjes Bërthamore (NPT). Që atëherë, katër shpërthime të tjera kanë ndodhur në të njëjtën vendndodhje nëntokësore në rajonin verilindor të Koresë së Veriut, Punggye-r. Secili prej tyre ka qenë më i fortë se paraardhësi. Ekspertët thonë se bazuar në tendencat aktuale, Pheniani ka të ngjarë të ketë aftësitë për të ndërtuar një raketë me armë bërthamore të fuqishme, sa për të arritur brigjet e SHBA brenda një dekade.

Siç njoftoi Nju Jork Tajms javët e fundit, një sistem tunelesh është gërmuar nën malin Mantap për testet bërthamore. Puna me gërmimet u ngadalësua kohët e fundit, një tregues ndoshta që punëtorët po përgatiten për një shpërthim tjetër. /bota.al/

Exit mobile version