Telegrafi

Mbretëria e lakmisë dhe përtacisë: Të kemi, jo të bëjmë!

Ilustrim

Dritan Shano

Besoj se konflikti më i madh, përfundimtar dhe ndëshkues, që kemi ne si shqiptarë me kohën, të tashmen dhe të ardhmen, me mirëqenien dhe prosperitetin, është të menduarit me këmbëngulje, gjenerate pas gjenerate, se mekanizmi që familja, kushërinjtë, shoqëria, armiqtë, bota mbarë jo vetëm nuk do jetë indiferente kundrejt nesh duke na kaluar pranë pa na vënë re, por përkundrazi të do na e njohin ekzistencën tonë, do të na marrin në konsideratë, do të na kenë zili, do të plasin nga inati, do të na respektojnë sikur të jemi dikushi, është po të kemi dhe jo të bëjmë.

Të kemi gjëra, por jo të bëjmë gjëra!

Të përdorim, jo të krijojmë!

Të harxhojmë, jo të investojmë!

Për shembull: të kemi diplomë, jo të bëjmë shkollë!

Të kemi makinë, jo të bëjmë makinë!

Të kemi iPhone, jo të bëjmë…. deri tek uji i pijshëm, domatja dhe qepa!

Mendoj se kjo zgjedhje mund të na japë vazhdimisht kënaqësi të shpejta, të menjëhershme, të paguara gjithnjë sa frëngu pulën, ndërsa “Të kemi, jo të bëjmë” mbetet ndër shekuj mekanizmi i indiferencës ndaj nesh, i prapambetjes dhe varfërisë sonë të përhershme. Dhe, ky nuk është një mekanizëm që i ngjan dilemës veza pulën, apo pula vezën.

Nuk është se ne duam të kemi dhe pastaj të bëjmë; ne thjesht duam të kemi dhe nuk bëjmë asgjë derisa harxhojmë atë që kemi, dhe duam të kemi prapë.

Kështu, humnerën tonë të “të kemi”, në zorrë dhe në mendje, nuk do e mbushim kurrë, siç dhe po e shohim përditë…

Vendosmëria për ta këputur dhe ndërruar këtë mekanizëm mund ta ndryshojë sjelljen mbizotëruese kombëtare, që gjithnjë dhe për çdo gjë, kryesisht materiale dhe shumë rrallë shpirtërore, është sikur na ka rënë sheqeri në fund.