Site icon Telegrafi

Mbretëria e Bashkuar dhe BE janë më të forta se Rusia: Evropa të përgatitet për luftë

Pamje nga takimi Starmer-Zelensky (foto: Eddie Mulholland)

Nga: Daniel Johnson / The Daily Telegraph (titulli origjinal: The UK and Europe are stronger than Russia. We have to stand together with Ukraine)
Përkthimi: Telegrafi.com

Teksa liderët evropianë mblidhen në Londër, të dielën, atmosfera është e zymtë. Të gjithë e dinë se, qoftë aksident apo pritë, qëndrimi i fundit i Zelenskyt i së premtes në Zyrën Ovale, mund të ketë pasoja ekzistenciale jo vetëm për Ukrainën, por edhe për Evropën.

Pasi e poshtëroi publikisht një njeri të cilin shumica e evropianëve ende e shohin si hero, Donald Trump dje e përkeqësoi edhe më tej situatën. Sekretarja e tij për shtyp, Karoline Leavitt, deklaroi se ShBA-ja mund të ndërpresë menjëherë çdo mbështetje për Ukrainën. “Ne nuk do të vazhdojmë të shkruajmë çeqe bosh për një luftë në një vend shumë të largët pa një paqe të vërtetë dhe të qëndrueshme”.

Kjo do të thotë se e gjithë barra, si ushtarake ashtu edhe ekonomike – për të mbajtur luftën më të madhe që nga viti 1945 – tani bie mbi kombet evropiane. Siç vuri në dukje javën e kaluar kancelari i ardhshëm i Gjermanisë, Friedrich Merz, administrata Trump duket më e interesuar për Rusinë e Putinit dhe gjithnjë e më indiferente ndaj fatit të kontinentit tonë.

Pra, çfarë do të kenë në mendje më shumë se një duzinë liderësh dhe zyrtarësh të BE-së kur mblidhen?

Samiti i mbrojtjes në Londër duhet të pajtohet për një plan serioz veprimi për të adresuar boshllëkun e lënë nga qasja e re amerikane dhe kërcënimi i ripërtërirë i agresionit rus. Nëse takimi përfundon në kaos, përgjegjësia për dështim bie drejtpërdrejt mbi supet e kryeministrit Keir Starmer.

Pa dyshim, me këtë rrezik në mendje, Sir Keir u kujdes të takohej privatisht dhe paraprakisht me presidentin Zelensky në Kryeministri [Downing Street].

Arsyeja për veçimin e Zelenskyt është e qartë. Starmer dëshiron të dëgjojë anën ukrainase të dështimit në Uashington, por gjithashtu të sigurohet që diçka e tillë të mos ndodhë në Londër. Edhe pse aleatët evropianë të Putinit, si Viktor Orbáni i Hungarisë dhe Robert Fico i Sllovakisë nuk do të jenë të pranishëm, mbetet i konsiderueshëm potenciali për një spektakël tjetër publik të mosunitetit perëndimor.

Liderët që Starmer ka mbledhur mund të duken si një koalicion i vullnetarëve, por pyetja mbetet: të gatshëm për çfarë saktësisht?

Pastaj është Giorgia Meloni. Pavarësisht nga e kaluara e saj në lëvizjen post-fashiste Vëllezërit e Italisë, në detyrë ajo është treguar një mbështetëse e vendosur e Ukrainës dhe një mike e mirë e Mbretërisë së Bashkuar dhe ShBA-së.

Në të vërtetë, Meloni ka qenë në shumë mënyra mbrojtësja më elokuente e Ukrainës si një bastion i qytetërimit perëndimor. Një javë më parë, në Konferencën e Veprimit Politik Konservator (CPAC) në Uashington, ajo rinovoi besimin e saj në aleancën transatlantike: “Nëse Perëndimi nuk mund të ekzistojë pa Amerikën, nuk mund të ekzistojë as pa Evropën”.

Meloni është ndoshta e vetmja nga lista e të ftuarve e e Starmerit që është një entuziaste e vërtetë e Trumpit: “E njoh – ai është i fortë dhe efektiv”, u tha ajo mbështetësve të MAGA-s [Make America Great Again]. “Jam e bindur se do t’ia vërtetojmë [të majtës] se e ka gabim. Disa mund ta shohin Evropën si të largët apo të humbur, por unë ju them, nuk është kështu”.

Mirëpo, mesazhi i Melonit se Perëndimi është ende i fortë sepse Evropa po zhvendoset djathtas, nuk është pritur aq mirë në disa qarqe në vendin e saj. Edhe pse ajo ka sfiduar pro-putinistët, është e kujdesshme të mos rrezikojë një përballje të drejtpërdrejtë me Rusinë.

Në një shkëmbim të tensionuar me Emmanuel Macronin – të mërkurën e kaluar gjatë një videokonference mes liderëve të BE-së – kryeministrja italiane i tha troç presidentit francez se ai “nuk kishte mandat” të premtonte në emrin e saj se një forcë paqeruajtëse evropiane duhet të jetë pjesë e çdo marrëveshjeje armëpushimi mes Rusisë dhe Ukrainës. Macroni e kundërshtoi ashpër Melonin, pastaj u përpoq ta qetësonte duke thënë se çdo vendim për të dërguar trupa do të ishte një vendim “kombëtar”.

Përplasja franko-italiane ndodhi me dyer të mbyllura. Por, një përplasje e tillë përpara liderëve të mbledhur në Londër do të mjaftonte për të minuar çdo marrëveshje. Prandaj, italiania e zjarrtë është thirrur për një takim me “drejtorin” Sir Keir, në zyrën e tij, përpara se të lejohet të shprehë mendimet e saj para pjesës tjetër të delegacionit. Meloni nuk impresionohet nga sjellja përçmuese e francezëve.

Rënia e prestigjit të Macronit, një president në fund të mandatit që mbështet një qeveri minoritare në Francë, ishte e dukshme edhe në Uashington. Udhëtimi i tij dha rezultate të pakta, ndërsa homologu i tij britanik u kthye me shumicën e kërkesave të tij të përmbushura.

Tani që marrëveshja e shumëpërfolur e Trumpit për mineralet e rralla me Ukrainën – edhe në formën e saj të rinegociuar, zhvatëse dhe e njëanshme – është të paktën e pezulluar, është e vështirë të imagjinohet që Trumpi do të garantonte ndonjëherë sigurinë e një force evropiane të bllokuar në stepat ukrainase.

Në çdo rast, gjithë debati për ruajtjen e paqes injoron lojtarin më të rëndësishëm: Vladimir Putinin. Pavarësisht se çfarë mund të thotë Shtëpia e Bardhë, Kremlini e ka bërë të qartë se çdo vendosje e forcave të armatosura nga shtetet anëtare të NATO-s, në anën ukrainase të një vije armëpushimi, do të ishte një vijë e kuqe. Në sytë e Putinit, trupat britanike që mbrojnë “regjimin nazist” të Zelenskyt janë po aq objektivë legjitimë për raketat dhe dronët rusë sa edhe aleatët e tij koreanoveriorë për ushtrinë e Ukrainës.

Prandaj, samiti i Londrës duhet të përballet me realitetin: garancia amerikane ka marrë fund. Po kështu, me shumë gjasë, edhe armëpushimi i propozuar në bisedimet Lavrov-Rubio në Arabinë Saudite gjatë muajit të kaluar.

Kjo do të thotë se Evropa, përfshirë Britaninë, është e vetme në mbrojtjen e Ukrainës. Me një PBB të përbashkët shumë herë më të madhe se ajo e Rusisë, ata që mblidhen në Londër, të dielën, duhet të jenë të aftë për këtë detyrë.

Gjermania – e cila e vetme ka më shumë se dyfishin e PBB-së së Rusisë – do të përfaqësohet nga kancelari në largim, Olaf Scholz. Kjo është për keqardhje, pasi pasardhësi i tij, Friedrich Merz, ka një mundësi reale për të treguar lidership kontinental, nëse mund të kapërcejë ngurrimin tradicional gjerman ndaj raison d’état.

Merz flet rrjedhshëm anglishten, ka një përvojë në biznesin transatlantik (veçanërisht te BlackRock) dhe, në moshën 69-vjeçare, e di se nuk ka kohë për të humbur. Edhe pse një evropian i flaktë, ai duhet të jetë mjaftueshëm pragmatik për të lënë mënjanë Brexit-in dhe për të punuar me britanikët në përshtatjen e NATO-s në një arkitekturë të re sigurie për Perëndimin.

Me Boris Pistoriusin, ministrin e Mbrojtjes me qëndrime të forta, i cili pritet gjerësisht të zëvendësojë Scholzin si lider i socialdemokratëve, Merz duhet të formojë sa më shpejt një koalicion të ri për ta vendosur Gjermaninë në një kurs të ri ushtarak. Asnjë komb tjetër evropian nuk respektohet më shumë në Kremlin.

Nëse Evropa synon të mbrojë paqen pa u turpëruar, ajo duhet të përgatitet për luftë.

Kjo nënkupton jo vetëm kompensimin e mungesës së mbështetjes amerikane, duke mobilizuar më në fund 300 miliardë dollarët e konfiskuar nga Rusia, por edhe përdorimin e forcave detare për të ndaluar shmangien e sanksioneve nga “flota e errët” e Putinit dhe ndjekjen e korporatave evropiane që ende bëjnë tregti me Rusinë përmes Turqisë, Azisë Qendrore apo ndërmjetësve të tjerë. Shtetet evropiane që nuk mund ta përballojnë këtë presion, duhet të largohen nga loja.

Në Britani, Starmeri mund të zbulojë se e majta e Partisë Laburiste refuzon të bëjë sakrificat në mirëqenie të cilat janë të nevojshme për të rikthyer forcat e armatosura në gatishmëri luftarake. Nëse kryeministri po bën gjënë e duhur, Kemi Badenoch [kryesuesja e opozitës] nuk duhet të hezitojë të bashkëpunojë me të, ashtu siç Attlee mbështeti Churchillin më 1940.

Disa ekspertë të politikës së jashtme, kanë reaguar ndaj afrimit Trump-Putin duke deklaruar se “Perëndimi ka vdekur”. Nuk e besoj për asnjë moment. Perëndimi ka ekzistuar për një kohë të gjatë dhe është më i fortë se çdo individ apo administratë.

Shumica e amerikanëve e dinë këtë. Ka pasur raste kur edhe shumë evropianë janë dorëzuar ndaj anti-amerikanizmit.

Ne tani përballemi me një luftë kundër Perëndimit, në të cilën nuk mund të mbështetemi më te një president i paparashikueshëm. Por, ajo që Churchilli e quajti “qytetërimi ynë liberal” duhet ende të mbetet busulla jonë.

Kjo, pra, mund të jetë ende ora më e lavdishme e Evropës. /Telegrafi/

 

Exit mobile version