Site icon Telegrafi

Mbretëresha Elizabeth II kishte më shumë se njëqind kuaj – kush do të vendosë për fatin e tyre

Përveç të qenit adhuruese e qenve, Mbretëresha Elizabeth II ishte e magjepsur edhe nga kafshët e tjera, veçanërisht nga kuajt. Që në moshë të re, ajo ishte e rrethuar nga kuaj dhe të afërm që i zotëronin.

Ajo filloi të merrte mësime të kalërimit në moshën tre vjeçare, dhe një vit më vonë babai i saj, Mbreti George VI, i dha asaj një pony Shetland të quajtur Peggy. Kur ishte 12 vjeçe, Elizabeth merrte mësime kalërimi dy herë në javë me motrën e saj Margareth.

“Nëse nuk do të isha kjo që jam, do të doja të isha një zonjë që jeton në fshat me shumë kuaj dhe qen”, tha ajo një herë.

Stallat mbretërore, të cilat më parë edukonin kuajt për transport, u shndërruan në mbarështim elitar të racave të pastra. Me kalimin e viteve, kuajt e Mbretëreshës kanë fituar disa nga garat më të mëdha në këtë sport.

Numri i saktë i kuajve që zotëron mbretëresha është i vështirë për t’u llogaritur, por besohet se janë më shumë se njëqind të tillë dhe se ajo ka fituar prej tyre rreth 7 milionë funte (8 milionë euro) ndër vite nga çmimet që kanë fituar.

Pas vdekjes së babait të saj në vitin 1952, kur ajo u ngjit në fron, Elizabeth trashëgoi tufën e mbarështimit dhe të garave.

Megjithatë, sipas autores mbretërore Claudia Joseph, Princesha Anne dhe vajza e saj Zara Tindall pritet të marrin vendimin për atë që do të ndodhë me kuajt e Mbretëreshës.

“Ka të ngjarë që vajza e Mbretëreshës, Princesha Anne dhe vajza e saj Zara, të cilët janë kalorës olimpikë dhe dashamirës të njohur të kuajve, do të përfshihen në atë që ndodh me kafshët e Mbretëreshës”, tha Joseph. /Telegrafi/

Exit mobile version