Nga: Edison Ypi
Alice Taylor është Mbretëreshë e tekstit – falë disa cilësive themelore që e dallojnë prej të tjerëve që ushtrojnë zanatin e të shkruarit.
Për reporterët e zakonshëm, një “shtëpi e braktisur” është një ngrehinë e zbrazur me dyer e dritare të shkulura, suva’ të rënë, tjegulla të vjedhura, mure gati për t’u rrëzuar, oborr i shkretë, gardh i shkatërruar, ferra gjithandej.
Për Alicen, që shtëpinë e braktisur e këqyr me vëmendje të shtuar si vepër arti, pamja është krejt tjetër; shtëpia e braktisur ka qenë një kreaturë e gjallë të cilës ia kanë fikur zjarrin, shembur oxhakun, thithur gjakun, nxjerrë shpirtin, kthyer në kufomë, e megjithatë vuan, rënkon, madje dhe shpreson, që një ditë do ngjallet, ndizet, ndritet.
Për të tjerët, ku mbaron asfalti, mbaron dhe udhëtimi.
Për Mbretëreshën Alice, ku asfalti mbaron, udhëtimi fillon.
Sa i përket kafeneve dhe restoranteve, aq të dashura për mediokrit e tekstit dhe të papërgjegjshmit e profesionit, Alice nuk u jep ndonjë rëndësi. Për Alicen, kafeneja restoranti, pijetorja, qebaptorja, kuzhina, magazina, sofra, ndodhen brenda supermarketit më të madh dhe gratis që ekziston, brenda pyllit ku Alice futet me kënaqësi që të humbasë dhe ta gjejë Policia pa ndjenja, çka, deri tani, falë Zotit nuk ka ndodhur.
Qejfi i Mbretëreshës Alice është të shkojë, të arratiset, të aventurohet, kahmos, sa më larg, sa më thellë, sa më ngatërrueshëm. Veçanërisht ku ka gurë, drurë, shkurre, shkëmbinj të thepisur, burime, ujëvara, përrenj, ku kollajllëqet urbane janë inekzistente, ku Alice të ngjitet në vende sa më të rrezikshme, sa më të vështira, ku sedentarëve nuk u vete as mendja, ku shqarthi arrin, delja s’mundet, dhia mezi kacavirret.
Të tjerët, reportazhet i shkruajnë çfarë u sheh syri. Pra, duke vënë në punë vetëm një shqisë, shikimin. Edhe atë, me përtesa, me mungesa, me ngadalësira, pa energji, pa vullnet, pa frymëzim, çka reportazhin e tyre për ibret e bën të rrjedhë ngadalë si një përrua me llum.
Reportazhet e Alices janë piktura, gravura, tablo, janë kryevepra arti që Alice i shkruan me shikim, dëgjim, nuhatje, prekje, pra me disa shqisa njëkohësisht. Por, edhe me gjymtyrë, këmbë e duar, që i duhen për t’u zhvendosur në terrene të vështira. Me siguri edhe me shqisa të tjera që Alice i ka, ndërsa ne vdekatarëve të zakonshëm na mungojnë.
Për të përcaktuar distancën, të papërgjegjshmit thonë filan vend ndodhet kaq e aq kilometra larg, aq e kaq orë apo minuta.
Aliceja gjeniale kurrë nuk shprehet në mënyrë analoge, monotone, lineare, proporcionale. Alice, për ta evituar monotoninë, gjithmonë gjen një metaforë. Për shembull, Alice nuk thotë “Kepi i Rodonit me Tiranën janë afër”, por “Kepi i Rodonit nga Tirana është një hedhje guri”. Afër apo larg, e lë ta nuhasi vetë lexuesi, po mundi.
Për reporterët e zakonshëm, udhëtarët anës udhës, bujq, çobanë, apo thjesht hallexhinj që venë diku për ndonjë hall apo sebep, janë ca injorantë me të cilët s’ia vlen të shpenzosh asnjë minutë.
Për Alicen e ndjeshme dhe të dedikuar, për shërbëtoren e përunjur të tekstit të përsosur, udhëtarët anës udhës janë të gjithë thesarë me perla dhe xhevahire. Për Alicen, udhëtari anës udhës, sa më i ngrysur, sa më i heshtur, sa më i rreshkur, sa më i kërrusur, aq më i vlefshëm është.
Ta shohësh një shkrues të çfarëdoshëm teksti kur ndodhet diku për të shkruar diçka, është zbavitje që s’ka të paguar. Po sheh estradë falas. Bën sikur i janë mbytur vaporët. Hiqet si i lodhur nga padrejtësitë që i janë bërë, domethënë nga pjatat dhe tasat që sapo ka zbrazur. Nuk i thua dot gjysmë fjale se ta kthen me helm, me zemërim.
Ta shohësh Mbretëreshën Alice në punë e sipër, duke u llafosur me njerëz apo duke hulumtuar diçka, totalisht e përqendruar, krejt në ekstazë, në jerm, në trans, nga mahnitja, për çudirat e jetës, larushinë e njerëzisë.
Ata shkruajnë mbi celulare, tableta, laptopa.
Mbretëreshës së tekstit nuk i duhen të tilla. Alice Taylor është një video-audio-kamerë non stop “on” prej mishi dhe gjaku. Alice e regjistron gjithçka në tru. Meqë ra fjala te truri, sa duket, Alice nuk ka një, ka disa.
Për të tjerët, reportazhi duhet të jetë sa më i gjatë, demek i plotë, dhe sa më i ngatërruar, gjoja i vështirë.
Kur reporterët tanë janë kthyer nga ndonjë vend ku pasi bënë një kronikë mbushën plëncin me mishra dhe sallatra, i pyet: Hë mo, ku ishe, çfarë bëre? Të përgjigjen: Isha në Uonderland, bëra një kryevepër.
Nëse Alices së Uonderlandit i bën të njëjtën pyetje në të njëjtat rrethana, Aliceja të përgjigjet; Takova njerëz. Njoha vende. Bëra punën. Ushtrova profesionin.
Duke “bërë punën dhe ushtruar profesionin” Alice bën reportazhe fantastike kudo: Edhe lart në Qiell, edhe brenda në ujë, dru, gur, tullë, zall, metal.
Mjerë ata që Mbretëreshën e tekstit s’e njohin.
Altruistja që refuzon dhe përbuz të marri më tepër se jep, di shqip.
Por, ka problem me shqiptimin e fjalës “Zgjedhje”. I falet. Ajo mezi e shqipton. Ne mezi i bëjmë.