Keni ëndërruar gjithmonë që të punoni në shtëpinë mbretërore më të famshme në botë? Jeni të rinj dhe keni shumë dëshirë për të mësuar? E ndjeni veten të gatshëm për të qenë kryeshërbëtor (mazhordom)? Ky është rasti juaj, por kujdes ndaj rrogës.
Mbretëresha Elizabeth e Anglisë, po kërkon një shërbëtor me mundësi për të bërë karrierë dhe me një kontratë të papërcaktuar.
Oferta duket tunduese, por siç lexohet në lajmërimin e publikuar në sajtin e Royal Household, ka disa gjëra që nuk janë pëlqyer fort. Ndër të tjera pushimet janë të paguara, ashtu sikundër është i përshirë edhe qëndrimi në Buckingham Palace.
Megjithatë nuk kanë munguar kritikat ndaj kësaj oferte, pasi mes kritereve spikat aftësia për të shërbyer me elegancë dhe klasë, ndaj krerëve të shteteve apo mysafirëve të zakonshëm si dhe kërkohet përshtatje ndaj çdo dhurate që vjen në pallatin mbretëror, që nga ato të shtrenjta e deri tek më të zakonshme.
Por polemikën më të madhe e shkaktoi rroga, 18 850 sterlina në vit, ose thënë ndryshe rreth 22 mijë euro, shkruan noa.al. Kjo shifër është cilësuar si shumë e ulët për nivelin e punës, ndonëse në lajmërim specifikohet se do të rritet me kalimin e kohës.