Një mbrëmje e madhe e boksit do të zhvillohet në Munchen të Gjermanisë, aty ku “Hazrolli Sport & Performance” do të organizojë eventin që do të zhvillohet nesër (e shtunë).
Ky event do të organizohet nga promotori ndërkombëtar, Burim Hazrolli.
Emra si Shefat Isufi, Jurgen Uldedaj, Emre Cukur, Egor Velikovskyi, Howik Bebraham, Simon Riedl, Damir Beljo, Dimitar Tilev dhe Kakande Muzamiru janë boksierët që do të ngjiten në ring.
Meçi kryesor do të jetë mes Uldedaj dhe Beljos, ku do të luftohet për titullin ‘WBA Continental Europian’.
Shefat Isufi në anën tjetër do të ketë punë me bokserin nga Latvia, Ralfs Vilcans, duel ky që do të zhvillohet në kuadër të peshave të lehta.
Tashmë, gjatë ditës së sotme (e premte) janë bërë edhe matjet zyrtare të të dy boksierëve shqiptarë.
Jurgen Uldedaj peshon 90 kilogramë, po aq sa peshon edhe kundërshtari i tij Damir Beljo.
Shefat Isufi në anën tjetër ka peshuar 78.5 kilogramë, ndërsa kundërshtari i tij Ralfs Vilcans ka peshuar rreth 79.3 kilogramë.
Dueli mes Uldedajt dhe Beljos premton spektakël, sidomos duke ditur rekordin e boksierit shqiptar në skenën e boksit profesionist, aty ku deri më tani ka marrë 15 fitore, ku gjashtë prej tyre kanë ardhur me nokaut./Telegrafi/