Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci ka deklaruar se agrobizneset vendore përmes përkrahjes financiare të kësaj ministrie do të kenë mundësinë të rrisin kapacitetet e tyre prodhuese dhe përpunuese.
Ai këto komente i bëri gjatë vizitave që u bëri sot fermerëve të Komunës së Lipjanit dhe ata të Bajgorës së Mitrovicës, ku është njoftuar nga afër me investimet e realizuara dhe veprimtaritë kultivuese të fermerit Bexhet Haziri.
“Përmes Programit për Pagesa Direkte 2022, kemi rritur përkrahjen në 554 euro/ha për perimet në fushë të hapur, ndërsa 654 euro/ha për perimet në sera. Ndërkaq, si kultura e dredhëzës ashtu edhe kultura e mollës do të përkrahen me 504 euro/ha. Po ashtu, tani kemi në dispozicion 26 milionë euro për Programin e Zhvillimit Rural/ Grante ku agrobiznese si “AMA” e fermerë do të mund të përfitojnë ngritje të kapaciteteve dhe teknologjive prodhuese, ruajtëse e përpunuese”, ka thënë ministri Peci.
Mbështetja e MBPZHR-së për bujqësinë përmes subvencioneve sivjet do të arrijë vlerën prej afro 50 milionë eurove, ndërkaq përmes granteve deri në 26 milionë euro.