Ministri i Punëve të Brendshme, njëherësh koordinator i grupit ndërinstitucional për menaxhimin e incidenteve (GNMI), Agim Veliu, ka mbajtur takim me përfaqësues të këtij grupi për të diskutuar rreth situatës aktuale me pandeminë COVID-19.
Pas takimit, ministri Veliu në një konferencë për media, ka thënë se që nga dita e nesërme do të marrin vendime si grup ndërinstitucional për menaxhimin e krizave.
Ai po ashtu tha se janë dakorduar që ta aktivizojnë Qendrën Operative të Ministrisë së Brendshme dhe me sektorët e tjerë.
“Qendra është duke punuar 24 orë në ditë, mirëpo morëm vendim që këtë Qendër ta plotësojmë edhe me përfaqësues nga institucione të tjera, ashtu sikurse kërkohet me Planin. Të gjitha Qendrat operative prej sot do t’i nënshtrohen Qendrës Operative të MPB-së për sa i takon menaxhimit të krizës”, theksoi ai.
Ministri Veliu shtoi se pas kërkesës së kryeministrit Hoti në një prej mbledhjeve të qeverisë, për aktivizimin në tërësi të Planit të Reagimit Kombëtar dhe në bazë të këtij vendimi, sot janë takuar si grup ndërinstitucional për ta diskutuar situatën për sa i takon pandemisë dhe në lidhje me këtë, për çka ka raportuar ministri i Shëndetësisë.
“Ne e kishim një informacion nga ministri i Shëndetësisë për gjendjen aktuale për sa i takon pandemisë me Covid-19. Po ashtu një raportim të policisë së Kosovës në lidhje me zbatimin e masave të cilat janë aprovuar nga Qeveria. Po ashtu kemi diskutuar edhe për nevojën e ri-aktivizimit edhe të shtabeve në nivel komunal. Gjithashtu diskutuam edhe rolin e Grupit ndërinstitucional për menaxhimin e krizave dhe gjatë ditës së nesërme, ne do të jemi gati që të marrim vendime”, tha Veliu.