Telegrafi

Mblidhet mbi 13 milionë euro nga tatimi në pronë

Në nivel të Kosovës, gjatë periudhës kohore janar – dhjetor 2010, janë grumbulluar 13 milionë e 451 mijë e092 euro, një rritje prej 18 për qind krahasuar me vitin 2009 dhe janë arkëtuar 88% e shumës së faturuar për këtë vit e cila ishte në lartësi prej 15,329,900 euro. Rezultati i lartpërmendur tejkalon planifikimet e bëra për të hyra nga Tatimi në Pronë gjatë vitit 2010.

“Sukses të mirë në grumbullimin e të hyrave nga Tatimi në Pronë kanë shënuar komunat si në vijim: Novobërda një ngritje prej 212 %, Lipjani me 81%, Shtime me 77%, Vushtrria me 61%, Fushë Kosova me 58%, Malisheva me 55%”, thuhet në komunikatën e MEF-it dërguar mediave.

Në këtë rritje të përgjithshme përjashtim bën komuna e Prishtinës, Hani i Elezit dhe Shtërpca të cilat këtë vit tatimor e kanë përmbyllur me rënie, respektivisht komuna e Prishtinës ka arkëtuar të hyra nga Tatimi në Pronë 3 milionë e776 mijë e196 euro ose 238 mijë e710 euro më pak se sa vitin e kaluar, komuna e Hanit të Elezit ka arkëtuar 54 mijë e 229 euro 17 për qind më pak, ndërsa komuna e Shtërpcës ka arkëtuar 18 mijë e 028 euro ose 27 për qind më pak.

Departamenti i Tatimit në Pronë me prioritet është duke shqyrtuar dhe konsultuar të gjitha komunat e Kosovës lidhur me shpërndarjen e faturave për vitin tatimor 2011, këtë vit tatimor komunat janë ato të cilat do të bëjnë shpërndarjen e faturave dhe ato do të vendosin se në cilën formë të shpërndarjes do të shkojnë përmes PTK-ës apo përmes stafit të tyre komunal. /Telegrafi/