Site icon Telegrafi

Mblidhet kuvendi i FBK-së

Në fakt, ndër të tjera ka pësuar ndryshime edhe logoja e FBK-së, ndërkohë që është bërë edhe zyrtarizimi i klubeve dhe shoqatave të reja.

Drejtuesit e basketbollit kosovar mendojnë se logoja e mëparshme nuk jepte kurrfarë shenje shtetësie dhe në takimet me delegacione të huaja nuk mund të konkludohej nga logoja se prej cilit vend vjen FBK-ja, kurse logoja e re e qartëson këtë shumë mirë.

Ajo tashmë përveç tjerash prezanton edhe shtetin e Kosovës, ka yjet e flamurit të shtetit dhe kjo do të thotë shumë. Logoja e re ka një qartësi se cilin vend e prezanton, pasi shkruhet qartë emri i vendit, por edhe elementet tjera ku shihen yjet e flamurit të shtetit, topi i basketbollit, si dhe anash gjuhët që përdoren në vendin tonë. Gjatë votimit për logon e re, të gjithë delegatët ishin pro dhe nuk kishte fare kundërshtime.

“Ajo çka mund të them është se çdo vendim e kemi marrë njëzëri me përjashtim të një vendimi për zvogëlimin e dënimit për një basketbollist 18 vjeçar të Dritës, Qëndrim Demi, i cili ishte dënuar për jetë, por që kuvendi vendosi t’i ulet dënimi në dy vjet”, thekson kryetari i FBK-së, Erolld Belegu, duke qartësuar edhe pranimin e klubeve apo shoqatave të reja.

“Në baze të Statutit, anëtarët e rinj i pranon Bordi i FBK-së dhe këtë deri në kuvend, ku më pas kuvendi i miraton apo jo, varësisht nga votimi. Kjo ndodhi edhe sot (dje) kur kemi miratuar pa dy klube të reja dhe një Shoqatë të Streetballit Sports 4 All. Të gjithë e dinë se ne pranojmë shoqata të reja sipas nevojës, por çdo gjë bëhet në mënyrë të hapur”, shprehet Belegu.

Për dallim nga Belegu, kryetari i Shoqatës së Streetballit të Kosovës, Agon Fehmiu, nuk pajtohet që FBK-ja të ketë dy shoqata të streetballit dhe për këtë thotë se do të reagojë.

“Shoqata e Streetballit e Kosovës është anëtare e Federatës së Basketbollit të Kosovës që nga viti 2005 dhe e vetme nga FBK-ja e pranuar në FIBA. Ne kemi reaguar në vendimin jashtëstatutar të Bordit të FBK-së për pranimin e OJQ-së, Sports 4 All, e cila sipas vendimit të FBK-së mund të organizojë aktivitete të streetballit në Kosovës, paralelisht me shoqatën legjitime. Kjo krijon paralelizëm në FBK, pasi kjo nuk ka bazë në statut dhe ligjin për sport.

Pas këtij vendimi, në basketbollin tonë mund të kemi dy shoqata të trajnerëve, pastaj dy shoqata të gjyqtarëve e kështu me radhë dhe kjo nuk është në rregull. Ne ende nuk kemi reaguar zyrtarisht pasi po presim edhe vendimin zyrtar nga Federata e Basketbollit e Kosovës, por gjithsesi do të reagojmë”, tha Agon Fehmiu, drejtuesi i Shoqatës së Streetballit të Kosovës. Duket se auditimi ka qenë “mollë sherri” në këtë rast.

Në fakt, Shoqata e Streetballit e drejtuar nga Agon Fehmiu, sipas Belegut nuk ka pranuar auditivin e FBK-së duke thënë se ata e bëjnë vetë auditimin. /Zëri/Telegrafi/ 

Exit mobile version