Telegrafi

Mblidhen mbi 150.000 euro për kërkimin privat të Emiliano Sala

Emiliano Sala (Foto: Getty Images/Guliver/Instagram)

Më shumë se 150.000 euro janë grumbulluar për nisjen e një kërkim privat për futbollistin e zhdukur, Emiliano Sala.

Autoritetet e kanë ndërprerë të enjten kërkimin për sulmuesin argjentinas dhe pilotin David Ibbotson, të cilët janë zhdukur të hënën mbrëma teksa po udhëtonin nga Franca për në Angli.

Aeroplani, në të cilin ndodhej lojtari 28 vjeçar dhe piloti 59 vjeçar, ka dalë nga radari derisa ishte duke fluturuar mbi English Channel (La Manche), ndërsa ekipet e kërkim-shpëtimit e kanë ndërprerë kërkimin pasi nuk besojnë se ka të mbijetuar dhe nuk kanë arritur të gjejnë gjurmë nga dy të zhdukurit.

Familja e Sala, personalitete të njohura të futbollit, por edhe presidenti argjentinas, Mauricio Macri, janë shprehur kundër ndërprerjes së kërkimeve dhe kanë kërkuar rifillimin e tyre.

Lexo po ashtu Të gjitha lajmet për futbollistin e zhdukur, Emiliano Sala

Ndërkohë, futbollistë të shumtë, duke përfshirë yllin e Manchester Citys, Ilkay Gundogan, kanë kontribuar me donacione për një kërkim privat në faqen GoFundMe.

Kontribuues të tjerë përfshijnë edhe trajnerin e Nantes, Vahid Halilhodzic, anësorin e Leicester Cityt, Demarai Gray, si edhe yllin e Bayern Munichut, Corentin Tolisso.

Motra e Emiliano Sala, Romina, beson se vëllai i saj është gjallë (Foto: Matthew Horwood/Getty Images/Guliver)

Agjencia parisienë e futbollit, Sport Cover, që e ka nisur këtë iniciativë shpreson të grumbullojë rreth 300.000 euro për kërkimet private të të zhdukurit Sala.

Në ndërkohë, në Francë është nisur një peticion për rinisjen e kërkimeve, i cili deri më tani ka kaluar shifrën prej 80.000 nënshkrimeve.

Motra e Salas, Romina, ka thënë se është e bindur që vëllai i saj dhe piloti janë gjallë dhe ka kërkuar vazhdimin e kërkimeve për ta. /Telegrafi/