Telegrafi

Mbledhja ndërqeveritare Shqipëri-Mali i Zi, Rama: Dakord me Abazoviqin për “Ballkanin e Hapur”

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka folur sot pas takimit ndërqeveritar Shqipëri-Mali i Zi në një konferencë të përbashkët për shtyp me homologun malazez Dritan Abazoviq. 

Në fjalën e tij, Rama ka shtuar se ka rënë dakord me Abazoviq se nisma “Ballkani i Hapur” është vazhdim i Procesit të Berlinit.

“Ne nuk mund të mjaftohemi me lidershipin e Berlinit por duhet të vëmë forcat e përbashkëta për të jetësuar këtë nismë”, tha Rama.

Rama mes të tjerash tha se në qershor në Mal të Zi do të mbahet samiti për nismën e Ballkanit të Hapur.

Ai përmendi edhe marrëveshjen e ndërtimin e urës së Bunës si një vepër e rëndësishme për të dy vendeve.

“I nderuar kryeministër, në radhë të parë dëshiroj të shpreh falenderimet në emër të të gjithë delegcionti tonë jo për formalizëm por sepse edhe njëherë tjetër ne kemi ndjerë në vetë të parë ngrohësinë e mikpritjes dhe afrimitetin vëllazëror mes nesh. Dua ta përsërish edhe këtu atë që thashë në mbledhje se Shqipëria dhe Mali i zi janë më shumë se sa fqinj dhe mund të bëjmë më tepër se sa kanë bërë deri më sot”, the Rama.

“Ne takohemi në një moment shumë sfidues për Evropën dhe vendet tona dhe në këtë kontekst përveç sfidave të drejtpërdrejta, vlera e kësaj ngrohtësie dhe vëllazërie bëhet edhe më e madhe. Kemi qenë së bashku, kemi vizituar Kievin dhe Zelenskyn në respekt të mandatit tonë si kryeministra të dy vendeve që janë të rreshtuar që herën e parë të agresionit rus, të dy vendeve që janë të njesuara në BE, anëtare të NATO-s, dhe si vizita jonë në Kiev, si përpjekjet tona të përbashkëta në këto fronte, janë themeli i një marrëdhënieje që ka një potencial të jashtëzakonshëm për tu thelluar”, tha Rama. /Telegrafi/