Telegrafi

Mbledhja e përbashkët RMV – Shqipëri, propozohet krijimi i një “porti të thatë” edhe në Strugë

Pas Kosovës, Qeveria e Shqipërisë i ka propozuar edhe Maqedonisë së Veriut të ketë një port të thatë në Strugë që e lidh me atë në Durrës.

Propozimi u bë në mbledhjen e përbashkët të qeverive në Shkup, ku u nënshkruan rreth 20 marrëveshje e memorandume.

Për krijimin e një porti të thatë në Strugë, ka folur edhe zv.kryeministri në RMV Artan Grubi. Ai tha se kjo nënkupton krijimin e një pike logjistike për transportin e mallrave që vijnë nga Porto Romano në Durrës.

“Këtu dua të falënderojë kryeministrin Rama i cili na mundësoi qasjen e një vendi pa det në Portin e Durrësit, dhe vetëm në këtë mënyrë zhvillohen marrëdhëniet vëllazërore dhe të afërta mes nesh”, pohoi mes tjerash Grubi.

Ndryshe, në mbledhjen e përbashkët është diskutuar edhe për krijimin e Task Forcave të përbashkëta në fushën e sigurisë, kontroll të përbashkët kufitar në pikat e kalimit Qafë-Thanë dhe Kjafasan.

Në tryezën e përbashkët, kryeministrat Rama dhe Kovaçevski vunë theksin te forcimi i bashkëpunimit në kohë krize. Kryeministri shqiptar Edi Rama, tha se duhet kërkuar më shumë nga BE-ja sa i përket krizës energjetike./Telegrafi/