Zëvendëskryeministrja e Kosovës Albulena Balaj-Halimaj ka pritur sot në një takim zëvendëskryeministrin e parë të Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi me të cilin ka biseduar për mbledhjen e parë të përbashkët të dy qeverive, e cila pritet të mbahet më së largu në gjysmën e parë të janarit, ku do të nënshkruhen një sërë marrëveshjesh për bashkëpunim ndërshtetëror.
Në konferencën për media pas takimit, Balaj-Halimaj ka thënë se me homologun e saj nga Maqedonia Veriore ka biseduar tema për thellimin e bashkëpunimit ndërshtetëror në fusha të ndryshme me interes të qytetarëve të dyja vendeve.
“Kemi diskutuar edhe marrëveshjet e mundshme që kanë diskutuar edhe kryeministrat tanë gjatë vizitës së Hotit në Maqedoninë Veriore, që të jetë një pikë e përbashkët kufitare dhe të mos maltretohen qytetarët në dy pika të ndryshme. Kemi diskutuar edhe për studim të fizibilitetit të rrugës Prizren-Tetovë që do ta realizojmë shpejt. Kemi diskutuar edhe për Brezovicën dhe Bregun e Diellit në pjesën e Maqedonisë për të bërë një vend turistik…”, ka thënë Balaj-Halimaj.
Ajo tha se është diskutuar edhe për fushën e kulturës, e cila është interes reciprok dhe ekspertët e kësaj fushe do të merren se cilat do të jenë marrëveshjet më të mira dhe se qëllimi është që t’i lehtësojnë qytetarët me këto marrëveshje që do të nënshkruhen.
Ndërsa, zëvendëskryeministri Grubi tha se Qeveria e vendit të tij ka shprehur gatishmëri për mbajtjen sa më parë të mbledhjes së parë të përbashkët me Qeverinë e Kosovës, e cila ishte shtyrë për shkak të gjendjes me pandemi dhe zgjedhjeve të sivjetme në Maqedoninë Veriore.
“Ka shumë marrëveshje për t’u nënshkruar, por në Maqedoni kishte pandemi dhe zgjedhje dhe u shty kjo mbledhje. Ne jemi gatshëm që brenda javëve në vijim të jemi gati për këtë mbledhje. Bëj thirrje që kjo mbledhje të mbahet në Shkup më së voni në gjysmën e parë të janarit të vitit të ardhshëm.
“Temat që diskutuam ishte edhe interkonjeksioni me gaz që do të lidhet përmes Maqedonisë dhe tash ka nisur studimi që financohet nga fondi investues për Ballkanin Perëndimor dhe do të jetë me interes për qytetarët e Kosovës jo për shkak të çmimit, por edhe mbrojtjes së ambientit… (8:17-8:24) Diskutuam për autostradën Shkup-Bllacë që lidhet me autostradën deri në Prishtinë (8:39-8:58) 90 për qind e ekspropiimit të tokës është kryer dhe pjesa e mbetur dhe punimet tashmë kanë nisur, me çmim rreth 14 milion euro dhe shpresoj të përfundojë vitin e ardhshëm”, ka thënë Grubi.
Duke folur rreth zbatimit të marrëveshjeve me Shqipërinë, zëvendëskryeministrja Balaj-Halimaj ka pranuar se ka pasur pengesa në realizimin e tyre.
“Unë jam në kontakt me ministrat e palës kosovare dhe shqiptare për të parë nga afër nëse kanë pengesa. Unë kam kërkuar që të mos nënshkruhen marrëveshjet që nesër mund të kenë nesër pengesa dhe të ankohen qeveritë për ato pengesa, kështu që kam marrë zotimin nga ministrat se këto marrëveshje nuk do të kenë pengesa dhe tashmë kanë nisur të zbatohen. Ka një numër të marrëveshjeve që nuk janë zbatuar, por janë nënshkruar. Ministrat po merren edhe me këto marrëveshjeje të kaluara dhe besoj se shumica prej tyre janë realizuar pasi ka marrëveshje që kanë pasur afat kohor për sa do të jetë të zbatueshme.
Ndërsa marrëveshjet me Maqedoninë, besoj se bashkë me Grubin do të kemi të njëjtën kërkesë nga ministrat që të mos ketë asnjë marrëveshje që nuk do të realizohet”, tha Balaj-Halimaj./KP/