Zëvendësambasadori i Gjermanisë në OKB, Jurgen Schultz ka reaguar ndaj fjalës së përfaqësuesit të Rusisë në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit, duke i thënë se nuk dëshiron të ulet në nivelin e komentimeve të tij.
Zëvendësambasadori gjerman ishte i shkurtër ne reagimin e tij, duke iu kundërvu përfaqësuesit të Federatës ruse për ato që tha ai për vendet që e mbështetin Kosovën.
“Dua të them se ato që kanë ndodhur në historinë e konfliktit në vitin 1998 dhe 199, janë një histori fatkeqe dhe këto nuk i ndihmojnë askujt. Nuk dua të ulem në atë nivel dhe përmbahem në komentimet e mëtejshme”, tha ambasadori gjerman, raporton KosovaPress.
Ambasadori i Rusisë në OKB akuzoi ambasadoren e Kosovës, Vlora Çitaku, për gënjeshtra për të justifikuar veprimin e policisë në veri.
“Veprimi i paligjshëm është kaq i qartë. Policia e Kosovës ka kryer një pushtim të veriut të Kosovës. Zyrtari rus në misionin e OKB-së u rrah dhe Çitaku na ofroi një version të ngjarjes që është në kundërshtim me logjikën. Madje, ajo nuk e tha saktë emrin e tij”, tha diplomati rus.
Diplomati rus parashtroi një pyetje siç tha ai rreth aktiviteteve të fshehta që ndodhën në bazën amerikane Bondstil dhe paralajmëroi se Prishtina ka sabotuar zbatimin e marrëveshjeve të arritura gjatë gjashtë viteve të fundit.
Ai po ashtu foli për miratimin e rezolutës për gjenocidin serb në Kosovë, duke thënë se është ‘bërë me qëllim të shpërqendrimit të problemeve’, derisa u shpreh kundër formimit të ushtrisë së Kosovës, e cila sipas tij, është në kundërshtim me rezolutën 1244. Diplomati rus tha po ashtu se nuk ka alternativë për vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi./Telegrafi/