Site icon Telegrafi

Mbledhja e Kryesisë, sot vendoset për shpërndarjen e Kuvendit

Kryesia e Kuvendit të Kosovës, sot do të mbajë mbledhje me shefat e grupeve parlamentare ku do të diskutohet për  përgatitjet për të mbajtur seancën për shpërndarjen e Kuvendit të Legjislaturës së VI.

Kjo mbledhje është thirrur nga kryeparlamentari Kadri Veseli, pasi refuzoi thirrjen e presidentit Hashim Thaçi për të caktuar një mandatar të ri për kryeministër pas dorëheqjes së Haradinajt.

“Kjo mbledhje ka për qëllim të saktësojë në mënyrë zyrtare dhe institucionale qëndrimet e çdo grupi parlamentar në lidhje me situatën e krijuar pas rënies së Qeverisë së Kosovës, si dhe konkretizimin e hapave për përcaktimin sa më të shpejtë të datës së zgjedhjeve të parakohshme”, deklaroi Veseli.

Sipas tij, shteti nuk guxon të mbetet në vakum institucional dhe pa vendimmarrje legjitime.

Mbledhja e kryesisë së Kuvendit të Kosovës do të mbahet prej orës 11:00.

Duhet theksuar se për të shpërndarë Kuvendin nevojiten 80 vota të deputetëve.

Neni 82 i Kushtetutës së Kosovës e ka përcaktuar saktë mënyrën se si Kuvendi mund të kryejë procesin e shpërndarjes.

“Kuvendi shpërndahet në këto raste: Nëse për shpërndarjen e Kuvendit votojnë dy të tretat e të gjithë deputetëve, shpërndarja bëhet me dekret të Presidentit të Republikës së Kosovës”, thuhet në pikën 1 të nenin 82 të Kushtetutës së Kosovës”.  /Telegrafi/

 

 

Exit mobile version