Turneu i filmit “Mbledhësit e puplave” në kuadër të Javës së Filmit të Bekim Fehmiut në Kosovë 2016 do të organizohet në periudhën kohore prej 6 deri më 10 dhjetor, shkruan KultPlus.
Festivali “Mirëdita, dobar dan!” vjen me edicionin e tretë në Kosovë me Turneun e Filmit “Mbledhësit e puplave” në kuadër të Javës së Filmit të Bekim Fehmiut në Kosovë 2016 . Ky film, i shpërblyer me Grand Prinë në Festivalin e Kanës më 1967 dhe njëri ndër filmat me të famshëm të aktorit Bekim Fehmiu, vjen kësaj radhe në pesë qytete të ndryshme të Kosovës.
Turneu i filmit “Mbledhësit e puplave” në kuadër të Javës së Filmit të Bekim Fehmiut në Kosovë 2016 do të organizohet në periudhën kohore prej 6 deri më 10 dhjetor, dhe do të filloj në qytetin e Kamenicës më 6 dhjetor në Shtëpinë e Kulturës “Isa Kastrati”, më 7 dhjetor në Pejë në Kinemanë “Jusuf Gërvalla”, më 8 dhjetor në Mitrovicë në Qendrën e Kulturës “Rexhep Mitrovica”, më 9 dhjetor në Ferizaj në Teatrin “Adriana Abdullahu” dhe më 10 dhjetor në Gjakovë në “Teatrin Kombëtar”. Orari i shfaqjes së filmit në pesë qytetet është nga ora 19.00. Hyrja për të gjitha shfaqjet e filmave do të jetë falas.
Festivali “Mirëdita, dobar dan!” është iniciative unike që kontribuon në dialogun dhe shkëmbimin kulturor në mes Kosovës dhe Serbisë, më qëllim të përmirësimit të marrëdhënieve sociale, politike dhe kulturore në mes dy shoqërive. Bekim Fehmiu, aktor shqiptar, kosovar, beogradas, jugosllav dhe botëror, që është simbol i të kaluarës së përbashkët, përmes të cilës, me të gjitha sfidat, të arriturat dhe keqkuptimet, ka shërbyer si frymëzim për themelimin dhe realizimin e këtij eventi. Synimi i organizatorëve është që ky festival të vazhdojë të organizohet në mënyrë tradicionale, duke kontribuar në vazhdimësi në vendosjen e paqes së përhershme dhe normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Projekti “Mirëdita, dobar dan!” implementohet nga Integra në partneritet me KFOS, Iniciativat Qytetare, dhe Qendra për Politikë. Java e Filmit të Bekim Fehmiut në Kosovë organizohet në bashkëpunim me Qendrën e Kulturës – Kamenicë, Anibar – Pejë, Qendën e Kulturës – Mitrovicë, Teatrin “Adriana Abdullahu” – Ferizaj dhe Teatrin e Qytetit – Gjakovë. Ky projekt përkrahet nga Ambasada Norvegjeze në Prishtinë, Rockefeller Brothers Fund, Charles Steëart Mott Foundation, Ambasada Zvicerane në Prishtinë dhe Ministria e Kulturës në Kosovë.