Site icon Telegrafi

Mbjellin drunj në kampusin universitar për të shënuar diplomimin

Të sapodiplomuarit e gazetarisë në Universitetin e Prishtinës kanë mbjell drunj në kampusin e universitetit për ta shënuar diplomimin.

Kjo iniciativë është mbështetur nga fakulteti i filologjisë dhe rektorati i universitetit.

Kaltrina Jashari, e sapo diplomuar në Universitetin e Prishtinës po mbjellë drunj për kampusin e universitetit.

Ajo së bashku me kolegët po shënojnë diplomimin e tyre në këtë formë simbolike.

“Ideja e gjithë këtij aktiviteti ka qenë që të shënojmë në mënyrë simbolike diplomimin tonë dhe të lemë një gjurmë në këtë kampus ku kemi qëndruar për tri vite sa edhe kemi studiuar”, tha për RTV Dukagjinin, Kaltrina Jashari.

Kjo iniciativë është mbështetur edhe nga shefi i departamentit të gazetarisë në Fakultetin e Filologjisë, Milazim Krasniqi.

Ai ka ftuar të gjithë studentët që diplomojnë në fakultetet tjera ta ndjekin këtë iniciativë.

“Iniciativa është shumë simpatike për të lënë një kujtim të mirë në kampus dhe besoj se kjo do të duhej të shërbej si një traditë për të gjithë të diplomuarit”, deklaroi Milazim Krasniqi.

Edhe rektori i Universiteti të Prishtinës, Marjan Dema, tha se mbjellja e këtyre drunjve tregon procesin e ndryshimeve pozitive nga studentët.

“Universiteti i Prishtinës është në proces të ndryshimeve pozitive. Kjo iniciativë duhet të vazhdojë edhe te studentët tjerë që diplomojnë. Ata më këtë veprim të jenë të lidhur përgjithmonë me universitetin tonë”, tha Marjan Dema.

Drunjte mbjell në kampusin e Universitetit janë financuar nga dekanati i fakultetit të filologjisë./Telegrafi/

Exit mobile version