Site icon Telegrafi

Mbjellësi i Molikës

Trungu i gjatë i mbante me lehtësi degët e hapura të Molikës, që atë ditë dimri të ftohtë përpiqeshin ta fshihnin zymtësinë e stinës. Vite më herët, kur Molika kishte qenë një fidan i hollë, dy duar të njoma ia kishin groposur rrënjët në një truall që shtrihej rrëzë Bjeshkëve të Nemuna. Ato duar e kishin bërë atë të shihej ndryshe nga të tjerat. Ajo nuk ishte më vetëm një pishë. Fshatarët, sebep mbjellësit, e shihnin si simbol.

Në dhjetëditëshin e tretë të janarit të acartë të vitit të gjashtë të mileniumit të ri, kujtimet për mbjellësin ishin shtuar. Për herë të fundit, Molika e mbjellësi ishin takuar gjatë verës. Mbjellësi kishte kaluar kalimthi nga ajo anë dhe kishte urdhëruar që eskorta që e shoqëronte të kthehej aty ku ajo bënte hije. Pasi ishin ndarë, mbjellësi kishte filluar të mos dukej. S’dihej ç’po ngjante me të. Fjalët qarkullonin se nuk ndihej mirë.

Misteri u zbulua në një ditë vjeshte, kur ai befas u paraqit para popullit. Nuk donte të mbante sekrete me ta. Doli haptas dhe u tregoi se po lëngonte nga një sëmundje e rënd që e kishte kapur në mushkëri, por i luti të mos e merrnin me shqetësim atë që po u thoshte. Besonte se në një spital, diku në Gjermani, do t’i pastronte mushkëritë nga e keqja dhe se do t’i kthehej misionit të papërfunduar – bërjen e shtetit të pavarur dhe sovran. E ndjente obligim, sepse ai që dikur ishte mbjellësi i vogël i Molikës, kishte kohë që ishte bërë president!.

“Dëgjoni”, tha. “Jam i bindur se me ndihmën e Zotit do ta kapërcej edhe këtë betejë dhe do të vazhdojmë të punojmë së bashku më fuqishëm për njohjen e pavarësisë së vendit tonë, Kosovës, sa më parë nga miqtë tanë amerikanë e evropianë”.

Pastaj, me flokë të rralluara u pa edhe disa herë teksa e kryesonte grupin e burrave të Unitetit, që negocionin për statusin përfundimtar të vendit. Gjithçka përfundoj shpejt! Vetëm pak muaj më vonë, dy flamuj të lëshuar në gjysmështizë, një fotografi e madhe e shoqëruar me një libër memoriali të vendosur mbi një tavolinë në hyrje të Shtëpisë së Kulturës në Cerrcë, ishin shenja të shuarjes së mbjellësit të Molikës. Betejën me kancerin e kishte humbur dhe tash familjarët e të afërmit kishin hapur të pame për të.

Dikush ndihej i bekuar që ia kishte prekur dorën, tjetri që i kishte ndërruar dy llafe me të, një i tretë që e kishte parë nga afër, e të gjithë së bashku që e kishin pasur bashkëfshatar. Në krye të vendit përpiqej që të mbahej i fortë axha, Aliu, ai që e kishte rritur, Ibrahimin, atë çunin e vogël për të cilin asnjëherë në jetë nuk kishte menduar se do të bëhej lider. Me gjithë dhimbjen që kishte, gjente forcë që t’u rrëfente të tjerëve për jetën e vështirë të nipit.

U tregonte se si Ibra kishte lindur më 2 dhjetor të vitit 1944. Se, pak muaj më vonë, me 10 shkurt të vitit 1945, babai i tij Uka dhe gjyshi Rrusta do të pushkatoheshin nga çetnikët serbë dhe sot e kësaj dite nuk të dihet as eshtrat ku i kanë. Fliste edhe për Nënën Sofë, që si nuse e re, me vetëm një vit martese, do t’i mbetej përjetësisht besnike burrit, duke mos u ndarë nga djali i vetëm deri në çastet e fundit të jetës.

Nëna e gjyshja donin ta kishin Ibrën gjithmonë pranë. Druanin ta qonin edhe në shkollë. I kishte mbushur të nëntat kur ato do të bindeshin që ta linin të shkonte në klasën e parë. Kishin frikë nga arsimimi i djalit të hasretit. Nuk donin ta përcillte fati i Ukës, i cili atëbotë konsiderohej si njeri i shkolluar, për ç’gjë edhe ishte likuiduar.

Më vonë, jo vetëm në familje e në fshat, por në tërë bashkësinë lokale, Ibra u bë shembull i një nxënësi të zgjuar. Kishte vazhduar Normalen, kishte përfunduar fakultetin, kishte zënë punë në Institut, kishte shkuar në Paris për të marr dije nga i famshmi Roland Barthes, kishte filluar të merrej me krijimtari letrare, ishte mishëruar me Pjetër Bogdanin, gjersa një ditë kishte vendosur t’i hynte politikës.

Kur në vitet nëntëdhjetë Ibra do të bëhej njeri me nam dhe tërë Kosova do ta thërriste emrin e tij, Aliu do të jetonte me frikën se një ditë do ta humbte edhe atë, si vëllain dikur. Por, nipi, do t’u rezistonte kohëve të liga. Do të përballonte goditje nga jashtë e nga brenda, por nuk do të tërhiqej nga vizioni. Bënte edhe gabime. Nuk ishte i përkryer, sepse ishte njeri. Të veçantë e bënte filozofia dhe urtia. Si promovues i paqes, do të arrinte ta kthente vëmendjen e botës demokratike kah populli i tij. Do të admirohej nga burrështetasit më të mëdhenj të kohës. E, për këtë krenohet Aliu, që, megjithatë s’ia del ta heq mallin që nuk i kishte qëlluar pranë, në çastet kur Ibra po ndërronte jetë në lagjen lindore të Prishtinës – në Velani.

Mesditën e 21 janarit 2006, shtëpia-rezidencë, qe shndërruar në vend për kryeshnosh. Aty nuk hynin vetëm politikanët, diplomatët e misionarët, por edhe qytetarët nga të gjitha viset shqiptare dhe diaspora. Qindra e mijëra të tjerë, që nga orët e para të mëngjesit e deri vonë në mbrëmje, me orë të tëra i bënin ballë të ftohtit vetëm për t’i bërë homazh trupit të pajetë të “Gandit shqiptar” që ishte vendosur në hollin e Tempullit të Demokracisë. E nderuan edhe ata që e kishin kritikuar, herë me arsye e herë për shkak të rivalitetit politik. Ia pranuan kontributin dhe e cilësuan si “president historik”. Nuk denjuan t’i përkulen as te varri.

Ikjen e “mbjellësit të Molikës”, qytetarët e shihnin si perëndim të harmonisë politike në vend. Për shumë nga ta, ai kishte qenë njëshi i pazëvendësueshëm. Në Librin e Zisë, njëri shkruante: “Njerëzit si ju lindin rrallë, por nuk vdesin kurrë”. E, një tiranas thoshte gjithë bindje se: “Presidenti ka vdekur, ka mbetur Rugova”. Ka mbetur edhe Molika, ndonëse e lënduar.

Exit mobile version