Qeveria e ka kuptuar: ky popull është i urtë. Bën të ndrydhet deri në një shkallë të lartë. Edhe të ofendohet. Për krejt pushtuesit ka thënë: “Hajt se e thyen qafen vetë!”. I ka duruar me qindra vjet. Për t’u ankuar, po ankohet vetë më vete, por për të lëvizur nuk lëviz lehtë. Edhe po argëtohet me debatet në Parlament. Çka të bëhet tjetër nëpër këtë kiamet.
As deklaratat e “nxehta” të Isës nuk po e shkrijnë borën! Çdo gjë e ka një fund, shpresojnë njerëzit! Edhe ky dimër! Edhe kjo… situatë!
E qeveria i mëshon telit si zakonisht: qeveria e mirë, veç populli diqysh… mosmirënjohës! Sidomos ata që nuk kanë votuar për ta. E ata janë shumica.
Përndryshe, Qeverinë e ka bërë matematika. Edhe diplomacia. Për nevoja pragmatike.
E patën mbivotuar popullin. Rreth 1.343 zyrtarë nga procesi i kaluar i votimeve janë të akuzuar për manipulime me vota. I kanë dënuar keq. Ata s’kanë të drejtë të marrin pjesë në zgjedhje deri në zgjedhjet e ardhshme. As të bëjnë manipulime me vota. Deri në zgjedhjet e ardhshme.
E populli ynë është stabil! Nuk luan me themel shpesh. U pa puna që nuk jemi për qejfin e Qeverisë. Po të mund të na ndërronte, do të na ndërronte. Ja të na bëjnë pazar! Por, s’po na blen kurrkush. I kemi mbetur në derë. Edhe për viza po hamenden!
Kështu po rridhte, mbarë e mbrapsht, llafi rreth tavoline. E dikush në tavolinën pranë po thoshte me zë të lartë se “ne nuk jemi një popull luftëtarësh”. Merre me mend! Në fytyrën e atij që po fliste, nuk po shihej asnjë fije dëshpërimi me këtë fakt. Përkundrazi, ai po e thoshte këtë me krenari.
Si nuk jemi more! E prej nga erdhën pra gjithë ato këngë trimërie, për trima me fletë nga historia jonë e lavdishme? Çka dëshmon kjo? – po pyeste një tjetër.
Epo, kjo dëshmon se ne jemi një popull këngëtar – u përgjigj oratori! U kemi kënduar gjërave që i kemi dëshiruar! Në një ekran të sheshtë, prapa shpinës së tyre po performonte një vajzë e brishtë me zërin e saj magjik! Voice of Albania! Po, ne jemi një popull këngëtar.
Nuk është e sjellshme të dëgjosh bisedat nga tavolinat e tjera, por ata po diskutonin me zë aq të lartë, sa batuta e fundit për popullin këngëtar i bëri disa nga tavolinat përreth të qeshin me zë. Po të ishim, me gjasë do të kishim fituar lirinë tonë shumë më herët, mendova.
Por, gjithsesi, të jesh luftarak nuk është vlera më e madhe për një popull apo komunitet.
Mileniumi i dytë po krijon kushtet që popujt të shpalosin vlerat e tyre edhe nëpër aktivitete të tjera ekonomike, organizative, sociale, kulturore dhe kështu të shijojnë lavdinë. Popujt luftëtarë e pushtues nuk do të mbahen mend për të mirë në histori. Në fakt, sot më shumë lexohen librat për dashuritë e mëdha sesa për luftërat e mëdha. E kanë kuptuar njerëzit se lufta është mbi të gjitha biznes i një numri të vogël. Qytetarët janë material harxhues në këtë biznes.
U pa puna që luftëtarë nuk jemi, përkundër të gjitha këngëve epike – po vazhdonte biseda në tavolinën fqinje. Por, as futbollistë nuk jemi kushedi sa – po thoshte tjetri. Së paku jo si kombëtare. Në fakt, kur luajmë për kombëtaret e huaja, duhet pranuar se jemi të mirë. “Mercenarë” të mirë! Në kohën e “babës dovlet” kemi qenë jeniqerë të mirë! Edhe në imperitë e tjera kemi dhënë luftëtarë, komandantë, pashallarë, imperatorë! Asnjë prej tyre nuk kishte shkëlqyer në vend të vet. Përpos Gjergj Kastriotit, ndoshta.
Ndoshta për këtë arsye se politika jonë është kopje e atyre imperive që na kishin mbajtur të pushtuar, sidomos asaj otomane dhe bizantine.
Paramendoni fëmijë që mbathin këpucë numër 45! Kështu duken politikanët tanë. Qeveritarët. Ministrat. Deputetët. Të vegjël për rolin që e kanë marrë. Por, në histori, njihen raste edhe më ekstreme të qeveritarëve.
Dikur, në një imperi, ndoshta më e madhja në historinë e njerëzimit, një perandor i cili vërtetë besonte se ishte perëndi, e kishe emëruar për senator një kalë.
Nuk ka shënime për aktivitetin e këtij “senatori”, rezolutat që i kishte propozuar, apo batutat e tij drejtuar opozitës, por gjithsesi lirisht mund të paragjykoni se ai gjatë tërë kohës është sjellë ashtu si ia diktonte soji i tij! Pra ai ishte sjellë si një kalë i vërtetë. Megjithatë, ai ishte emëruar senator, krejt legalisht!
Në kohët tona, kuajt gjithsesi nuk emërohen për senatorë (apo deputetë) sepse demokracia nuk e lejon këtë. Deputetët zgjidhen me votë. E lirë apo e shtrenjtë, e lirë apo e imponuar, e vjedhur apo e manipuluar, ajo është votë, paraqet instrumentin kryesor të cilin qytetari e ka në dorë për të shprehur vullnetin e vet, për të zgjedhur përfaqësuesit e vet. Dhe, kur diçka bëhet me votë, ajo është legale.
Dorën në zemër, edhe emërimi i kalit për senator në imperinë e moçme ishte legal, sepse ishte kompetencë e perandorit që të emëronte senatorët. Dhe, ai i zgjidhte më të besueshmit. Ai ishte i bindur se ai kalë do të ishte krejtësisht i denjë në mes senatorëve të tjerë servilë.
Derisa po meditoja për kuajt dhe për përfaqësuesit e popullit në Ballkan, vetvetiu më gufoi në formë klithme një pyetje sa akademike aq edhe pragmatike: – Ku është kufiri?
– Në Merdar! – u përgjigj njëri! – Më keqkuptove! Nuk po mendoj në kufirin administrativ! Po e pyes veten se ku është kufiri të cilin një politikan nuk duhet ta kalojë në komunikim me qytetarët? – S’ka kufi! – tha ai. S’ka kufi, ky mund të thotë çka të dojë, të bëjë çka të dojë. Sikur Neroni! Mund të shpallë edhe ndonjë kali deputet, apo ministër, sikur ai perandori i moçëm. Ky politikën e sheh si mbledhje dhe zbritje të thjeshtë numrash. I kemi numrat për ta formuar qeverinë. I kemi numrat edhe për ta mbivotuar popullin. Nëse është nevoja, do të vijnë në shtat breza edhe do të votojnë për ne.
Një gjë është e sigurt, nëse në zgjedhjet e ardhshme i thërrasin prapë për të votuar edhe dëshmorët, gjysh e katragjysh, disa gjenerata përpara, ata, edhe nëse vijnë si herën e kaluar, vështirë se do të votojnë më për të. Kurrë më nuk mund të fitojë 140 %.
Edhe në ardhtë, më legjendari prej tyre, do të thotë: “Më keni rrejtë, bre bac! Prej asaj çka po bëni në emër tonin, nuk po na lini vend as në xhenet!”…