Site icon Telegrafi

Mbivlerësimi i popullit

Populli është një kategori e cila kur lidhet me territorin dhe pushtetin asocion në një komb të ndërtuar. Populli ka vlerë, sidomos politike! Sidomos në kohën e zgjedhjeve. Duhet të dalin në vendvotime sa për t’u dukur. Të tjerat i bëjmë vet. Edhe kutitë i mbushim vet. Mjafton me dalë 20 për qind, e ne të fitojmë me 30 për qind, pastaj me negociata demokratike e legjitimojmë pushtetin e dalë nga vota e lirë.

Ky është një monolog, krejtësisht hipotetik. Imagjinarë. E, ku e di unë çka mendon një politikan i yni mesatar. E keni parasysh mesataren tonë, gjithsesi!

E pra, të kthehemi prapë te teza e fillimit. Popullin e kemi. Madje, tepër aktiv!. Në protesta del! Në demonstrata del! Rregullisht. Për të rrëzuar me gurë ”përfaqësuesit” e vet. Ata që i zgjedhin me votë. Lëre fare, e zgjodhi apo ia zgjodhën kjo këtu tashmë e ka të njëjtin kuptim.

Të tjerat nuk janë krejtësisht të qarta. As territori e as pushteti. Por, ku ka qartësi në Ballkan. Sidomos për territoret për të cilat pretendohet se i kanë tapitë të gjithë, qoftë nga ilirët e lashtë, grekët antik, maqedonasit e vjetër, apo sllavët. Këndej kaluan edhe sulltanët e kanët. Por, kjo është tjetër temë. Protestat, luftërat… janë biznes!

As pushteti nuk është kategori krejt e qartë! Partitë dhe kandidatët dalin në zgjedhje dhe të gjithë pretendojnë se kanë fituar. Në Kosovë për shembull në votime dalin 140 për qind e popullit. Ndodhë që edhe të vdekurit të dalin në votime. Pjesa tjetër mungon, me arsye gjithsesi!

Përndryshe, ne tashmë e kemi dëshmuar orientimin tonë. E pat puna! Duam në Evropë.

Kjo temë nuk ka çfarë diskutohet më tepër në institucionet evropiane. Madje, ne e duam më shumë anëtarësimin në BE sesa popullin. I duam më shumë ambasadorët, se ata. Sidomos njërin! Ambasadori është ambasador. Qoftë edhe i Kurkund-istanit!

E populli e din që e duam! Ne jemi një! Si mishi e thoi! Nuk kemi pse e kruajmë çdo mëngjes me deklarata dashurie. Është si puna e gruas! Do lazdrohet… populli. Pastaj, populli edhe po të dojë, nuk ka kah të shkojë.

Po i lexoja gazetat dhe po shkulja flokët: është në tokë të bukës ky? Gjithnjë ia futë kot kështu? “Duajeni më shumë popullin tuaj”, thotë ai, “se sa botën”! Kështu në interpretim të lirë e udhëzon lidershipin tonë presidenti i Parlamentit Evropian! Duajeni vetveten. Respektojeni vetveten! Pse kaq narcisë u dashka të jemi ne?!!

Martin Shultz e turpëroi ministrin e Jjashtëm përpara popullit të vet. Edhe shefin e tij. Edhe kundërshtarët e tij. Gjithë klasën politike shqiptare. Zgjedhja e Presidentit qenka një vendim i cili duhet të jetë i pranueshëm për popullin, sipas tij. E çfarë duan pra në këtë lojë bixhozi gjithë bastexhinjët vendorë e ndërkombëtarë?

“Zgjedhja e presidentit duhet të jetë një vendim i pranueshëm për popullin dhe më pas edhe për botën, pasi ai ka një rol të rëndësishëm në drejtim e vendit, por edhe për përfaqësimin e Shqipërisë në Evropë”.

Këtë deklaratë, duke iu referuar medias, duket ta ketë bërë presidenti i Parlamentit Evropian, z. Martin Shultz.

S’ka tjetër. Presidenti Shultz e mbivlerëson popullin. Së paku kur është fjala për popullin tonë. Këta tanët nuk dinë të aktrojnë. Dalin në zgjedhje dhe vërtetë besojnë se ata janë që zgjedhin! Pastaj, si të bëhen bashkë Lazarati e Qerreti? Lagje në vete këto. Mos keqkuptoni. Nuk kam asgjë kundër kosovarëve apo marihuanës!

Duaje veten, thotë presidenti! “E duam, e duam, por s’po na duan”, klithë egoja jonë e lënduar. Neve as Zoti s’na beson. Edhe prijësit fetarë i kemi nga importi. Krejt çka ka vlerë tregu e kemi shitur jashtë… me gjysmë çmimi!

Se duam tonën – u pa puna. Po nuk e deshën ata, se duam as ne!
.

 

Exit mobile version