Telegrafi

Mbipesha në fëmijëri dhe zhvillimi i mëvonshëm i depresionit

(Foto: Pexels)

Mbipesha në moshën e adoleshencës së hershme, konsiderohet të ketë ndikim më të madh në zhvillimin e depresionit më vonë gjatë jetës.

Të kuptuarit e marrëdhënies midis sëmundjes mendore dhe peshës në adoleshencë, është thelbësor për të ofruar mbështetje në kohë aty ku është e nevojshme – transmeton Daily Mail.

Studimi i realizuar në King’s College në Londër – të cilit i referohet artikulli – e ka treguar lidhjen e drejtpërdrejtë midis një indeksi të masës trupore (BMI) më të lartë në moshën e adoleshencës së hershme dhe simptomat e depresionit në jetën e mëvonshme.

Lexo po ashtu Fëmijët me mbipeshë janë më të rrezikuar që të zhvillojnë depresion më vonë gjatë jetës

Duke u bazuar në këtë studim, është e qartë se adoleshenca e hershme është një pikë kritike për zhvillimin e simptomave depresive të lidhura me kilogramët e tepërt. Ekspertët këshillojnë që fokusimi në fushën e perceptimit të bukurisë fizike te adoleshentët, është e një rëndësie të madhe.

Kjo nënkupton që koncepti i bukurisë fizike duhet të ripërcaktohet për të rinjtë dhe përqendrimi kryesor duhet të jetë në gjendjen psikologjike të fëmijës.

Lexo po ashtu Si t’i dalloni disa nga shenjat e fshehura të depresionit

Për rezultatet e këtij studimi, King’s College London analizoi të dhënat nga më shumë se 10.000 binjakë në Studimin e Zhvillimit të Hershëm të Binjakëve dhe Regjistrin e Binjakëve për të Rritur në Mbretërinë e Bashkuar.

Ata analizuan lidhjen midis indeksit të masës trupore (BMI) dhe depresionit në moshat 12, 16 dhe 21 vjeç.


/Telegrafi/