Polonia planifikon hapjen e një spitali të përkohshëm në stadiumin kombëtar, pas mbingarkesës të sistemit shëndetësor për shkak të rritjes së rasteve me coronavirus.
Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, vendi po përballet së fundmi me rritje rekorde të rasteve ditore nga coronavirusi, ndërsa mjekët paralajmëruan për mungesa të shtretërve, pajisjeve dhe të personelit.
“Të shtunën kryeministri Mateusz Morawiecki, urdhëroi që të bëhet gati një spital i përkohshëm në stadiumin kombëtar në Varshavë”, tha Michal Dworczyk, shefi i stafit të kabinetit, i cili është përgjegjës për projektin.
Spitali i vendosur në sallat e konferencave të stadiumit, do të ketë shtretër për 500 pacientë të cilët janë të prekur me COVID-19, dhe mund të zgjerohet deri në 1,000 shtretër.
Dworczyk tha se edhe regjionet e tjera gjithashtu janë duke punuar në hapjen e spitaleve të përkohshëm.
Ndryshe, numri i përgjithshëm i të prekurve në Poloni u rrit në 183 mijë, ndërsa më shumë se tre mijë persona kanë ndërruar jetë. /Telegrafi/