Pas rastit të mbrëmshëm ku mbeti e vrarë një grua shtatzënë në oborrin e Klinikës së Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) ka pasur reagime të shumta për të zbatuar Ligjin për mbikëqyrje elektronike”.
Drejtori i Qendrës për Punë Sociale në Komunën e Prishtinës, Vebi Mujku ka thënë se ky ligj është në fuqi që nga viti 2015 dhe sipas tij nuk është zbatuar asnjëherë.
Sipas tij, përmes këtij ligji ushtruesit të dhunës i vendoset një pajisje e sigurisë si dhe alarmon policinë për rrezikun.
“Sa herë flasim për vrasje të grave duhet pas parasysh që prej vitit 2015 e kemi një Ligj në fuqi të pazbatueshëm asnjëherë, Ligjin për Mbikëqyrje Elektronike, i cili vendos pajisjet e sigurisë dhe alarmon policinë për rrezikun në dhomën e monitorimit sa herë që ushtruesi i dhunës (lexo kriminelin) i afrohet viktimës, saktëson lokacionin dhe alarmohet patrulla më e afërt e policisë dhe mbron viktimat. Edhe sot gruaja u vra vetëm 3 minuta larg stacionit të policisë”, ka shkruar Mujku.
Tutje përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se kosto e këtyre pajisjeve është qesharake, krahasuar me jetën e një gruaje dhe një fëmije.
“Ne presim donacione edhe për gjëra jetike, e shpenzojmë para koti në projekte me pak vlerë. Urdhri për mbretje është vetëm një copë letër A4 dhe nuk është as jelek anti plumb dhe as nuk jep siguri për viktimën. Duket se nuk e kemi shumë seriozisht mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje”, ka shkruar ndër të tjera Mujku.
Ndryshe, Ligji në fuqi thotë: “Për mbikëqyrje elektronike të personave, të cilëve u kufizohet lëvizja me vendim të gjykatës vendimit të gjykatave, nëpërmjet përcaktimit në kohë reale të vendndodhjes së një personi, me anë të përdorimit të mjeteve elektronike të vendosura në trupin e tij”. /Telegrafi/