Site icon Telegrafi

I mbijetuan zjarrit, tani po i kërcënon diçka tjetër – qytetarët e Kalifornisë po rrezikohen nga ajri i ndotur (Foto/Video)

Cilësia e ajrit në pjesën veriore të Kalifornisë po konsiderohet si më e pashëndetshmja në botë, pas zjarrit që e ka kapluar këtë vend dhe ka shkaktuar dhjetëra viktima dhe dëme të mëdha materiale.

Siç raporton BBC, këto të dhëna janë bërë publike nga institucionet që analizojnë cilësinë e ajrit, transmeton Telegrafi.

Organizata “Purple Air” që analizon të dhënat për cilësinë e ajrit në zona të caktuara, ka njoftuar sot se situata në Kaliforni tani është më e keqe sesa në qytetet e mbuluara nga tymi në Kinë dhe Indi.

Shkollat në Kaliforni kanë ndërprerë përkohësisht punën, derisa fluturimet e aeroplanëve po vonohen ose në disa raste edhe po shtyhen.

Ndërkaq është duke u rritur numri i qytetarëve, që në internet janë duke pyetur se ku munden të blenë maska për t’u mbrojtur nga tymi dhe ajri i ndotur.

Ueb-faqja Ernau ka njoftuar se si ajri në qytetet San Francisco dhe Oakland është shumë i keq, që do të thotë se qytetarët e këtij rajoni mund të kenë pasoja serioze shëndetësore e në veçanti në sistemin respirator.

Rreth El Grow dhe Sacramento ajri është i “rrezikshëm” dhe sigurisht se qytetarët do të kenë pasoja gjatë frymëmarrjes, thuhet ndër tjera në këtë ueb-faqe.

Një gazetar i “San Francisco Chronicle”, ka deklaruar se thithja e ajrit në San Francisco është njëjtë sikurse nëse i tymosni dhjetëra cigare. Në qytezën “Paradise” që është shkatërruar nga zjarri, ajri është ekuivalent me tymosjen e 22 cigareve. /Telegrafi/

 

 

Exit mobile version