Në Raportin e Komisionit Evropian edhe kësaj radhe nuk përmendet fare mbiemri maqedonas. Maqedonasit hidhërohen së tepërmi për këtë mënjanim të qëllimshëm. Kryeministri i vendit, haptas e kritikoi Komisionarin Evropian Stefan Fule, thuajse ky raport është vepër private e tij. Me shpejtësi edhe presidenti i vendit i rreket zhurmimit të këtij mënjanimi, duke ia dërguar një letër presidentit të Komisionit Evropian, Hoze Manuel Baroso. Kësaj beteje i bashkohen edhe historianët, studentët, kisha ortodokse dhe institutet e ndryshme maqedonase. Përgjithësisht vërehet një mobilizim dhe shqetësim serioz i maqedonasve, mbase kanë filluar edhe të shihen lulëzat e para të urrejtjes evropiane. Ndoshta edhe kjo është pasqyra dhe diskursi i drejtë i kësaj qeverie!
Pas këtij raporti, Maqedonia ka filluar hapjen e llogoreve edhe në drejtim të BE-së. Nuk i mjaftuan betejat për të njëjtën arsye me Greqinë, Serbinë dhe Bullgarinë, si dhe për arsye tjera me shqiptarët.
Çmimi i dëshmisë për rrënjët antike, duket të jetë më i shtrenjtë se vetë Maqedonia. Maqedonasit shihen të interesuar t’i dëshmojnë rrënjët e tyre antike, pavarësisht se gjethet në pikë të pranverës kanë filluar të bien. Kjo mendësi kryeneçe e palës maqedonase me shtetet e fuqishme evropiane, ka gjasa që ta përshpejtojë përtharjen e tërë trungut. Do të këndellen edhe nga kjo dehje, por atëherë do të jetë tepër vonë, sepse rrotullimi i verbër rreth rrënjës pa trupë, do të lërë në epitafin e këtij shteti gjurmë që vështirë shlyhen.
Mos përmendja e mbiemrit maqedonas në raportin e progresit, maqedonasve praktikisht ia tërhoqi vërejtjen e lojërave me mbiemrin shqiptarë. Pushteti maqedonas, kuptohet edhe me miratimin e atij shqiptar, për të krijuar hapësirë sa më të volitshme të manipulimit të mbiemrit, kaluan në fushën e numrave, duke qenë të sigurt se përmes numrave mashtrimi do të jetë më i lehtë dhe shumë i dobishëm për ta. Kështu, shteti i Maqedonisë në kushtetutë, shqiptarët i trajton si “20 përqindëshi”. Pas këtij mbiemri jo ekzistues në gjuhën shqipe, që shprehet identiteti kombëtar i një populli, maqedonasit u gëzuan se në këtë shtet ata do të jenë me mbiemër të drejtë dhe të tjerët – të trajtësuar në numra njëshifror dhe dyshifror, do të shërbejnë si numra për zgjidhjet e problemeve të shkaktuara prej pushtetit të tyre. Ndërsa Raporti i Komisionit Evropian, ndoshta edhe pa qëllimin e tij, dhimbjen e padrejtësisë sonë ia mundësoi që edhe ata ta shijojnë, duke i trajtuar si “qytetarë të këtij vendi”, që për mua është shumë e drejtë, ngaqë nuk janë vetëm maqedonasit shtetas të Maqedonisë.
Pas këtij emërtimi shumë të drejtë të Komisionit Evropian, për hir të padrejtësisë që pushteti maqedonas na e bëri në emërtim, zëvendëskryeministrja për çështje evropiane, Teuta Arifi, kishte qenë shumë mirë që emërtimin “qytetarë të këtij vendi” ta përshëndesë publikisht, duke ia bërë me dije se në këtë vend të gjithë në kushtetutë duhet të trajtohemi si qytetarë të këtij vendi, ose të gjithë me mbiemra të drejtë, për shembull, shqiptar, maqedonas, turq, rom, serb, bullgar e tjerë, e jo në një shtet të qartë shumetnik, të figuron vetëm mbiemri maqedonas dhe të tjerët vetëm si numra. Përndryshe, ne shqiptarët që jetojmë në Maqedoni përherë do t’i gëzohemi këtyre emërtimeve në raportet evropiane, madje edhe ikja e Maqedonisë në heshtje për nënshkrimin e Kartës së Këshillit të Evropës që avancon gjuhën shqipe dhe gjuhët e bashkësive pakicë në vend, dëshmon dhe përforcon bindjen tonë se raportet e hidhura për maqedonasit janë lajme të gëzueshme për shqiptarët, jo për diçka tjetër, porse ky do të jetë një rast i mirë që edhe bashkëqytetarët tanë, detyrimisht të mishërohen me dhimbjen tonë.