Telegrafi

Mbi tre milionë euro nga tatimi në pronë

Gjatë kësaj periudhe komunat kanë inkasuar 3 milionë e 095 mijë e683 euro nga tatimi në pronë. “Shuma e të hyrave nga tatimi në pronë në periudhën janar – mars 2011 është me e lartë se shuma e inkasuar në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar për 1 milionë e 035 mijë e 933 me një rritje për 50 për qind”, ka njoftuar Ministria e Financave.

Pavarësisht progresit të përgjithshëm në grumbullim, progresi individual i komunave është i ndryshueshëm, 27 komuna kanë një përmirësim të konsiderueshëm të arkëtimit, kurse tre komuna kanë rënie në mbledhjen e tatimit në pronë.

Komunat të cilat kanë shënuar progres në arkëtimin e të hyrave nga tatimi në pronë janë: Komuna e Novobërdës me një ngritje prej 465 për qind, Shtërpca me 387 për qind, Obiliqi me 171 për qind, Lipjani me 140 për qind, Hani i Elezit me 106 për qind e kështu me radhë.

Tri komunat të cilat kanë rënie në arkëtimin e të hyrave janë Vitia me -6 për qind, Shtimja me -23 për qind dhe Kaçaniku me -42 për qind, ndërsa komunat e Graqanicës, Ranillugut dhe Kllokotit janë të pakrahasueshme me periudhat e viteve paraprake ngase deri në këtë vit nuk kanë pasur të hyra nga tatimi në pronë, kurse komuna e Parteshit për herë të parë aplikon Tatimin në pronë këtë vit.

Të ardhurat e këtyre komunave nga tatimi në pronë në masë të madhe mund të atribuojnë në shtimin e aktiviteteve, siç janë ndalesa e dhënies së shërbimeve për tatimpaguesit delikuent, për mënyrën më të mirë që qytetarët të kuptojnë të mira nga pagesa e tatimit në pronë. /Telegrafi/