Telegrafi

Mbi shtatëmijë persona me fakultet dhe pa punë

Studentët e Universiteteve publike dhe kolegjet në Kosovë vazhdojnë të diplomojnë por shumica e tyre nuk gjejnë punë – kjo për shkak të kërkesave të vogla që kërkon tregu. Ndërkohë, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale nuk ka bërë ndonjë hulumtim për nevojat e tregut të punës.

Të gjitha statistikat e bëra deri më tani, tregojnë se tregu i punës në Kosovë është në një gjendje të rëndë.

Shumë të rinj përkundër faktit se kanë përfunduar fakultetin vazhdojnë të mbesin të pa punë.

Njëri nga ta është edhe Selami Krasniqi nga komuna e Klinës, i cili ka përfunduar Fakultetin Juridik në Prishtinë në vitin 2010, por deri më tani nuk ka arritur që të gjejë një vend pune.

Ai në një prononcim për KosovaPress, ka folur për vështirësitë që po përballet për ta siguruar një vend pune si në sektorin publik, ashtu edhe në atë privat.

Krasniqi thotë se përkundër rezultateve të mira në studime dhe mbi 60 trajnimeve të përfunduara nuk ka arritur të gjejë deri më tani një punë të përshtatshme.

“Kom apliku madje dhjetëra herë, mirëpo asnjëherë nuk kam marrë përgjigje pozitive”, ka thënë Krasniqi.

Ai thotë se është shumë e vështirë me pas një vend pune sidomos në sektorin publik, kurse në sektorin privat shkelen të drejtat e punëtorit.

Ndërkaq Hafiz Leka nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, ka thënë se është në rritje numri i atyre që kanë përfunduar fakultetin e që janë të papunë.

“Shifrat shkojnë edhe më lartë nëse marrim parasysh edhe numrin e atyre që nuk janë lajmëruar si të papunë”, ka thënë Leka.

Leka tha se planifikojnë që t’i zhvillojnë edhe disa skema siç është skema e bërjes së praktikes në punë e që në fokus do të jenë personat nga profilet e ndryshme, me përgatitje superiore, në mënyrë që për një periudhë gjashtë mujore, t’i ofrojnë mundësi që ata t’i rrisin njohurit dhe përvojat e tyre.

Sipas Lekes, nevojat e tregut të punës me sistemin e planifikimit të nxjerrjes së kuadrove sipas profileve të ndryshme duhet patjetër të administrohen sepse paraqitet rritja e stoqeve.

Ai thotë teknologjia informative dhe shërbimet e tregut janë fushat më atraktive.

Leka shton se deri thash janë 6800 persona me fakultet në kërkim të një vendi të punës.

Ndërsa, Dugagjin Pupovci, nga Qendra për Arsim e Kosovës, tha se nëse i shikojmë sipas kualifikimit nga të diplomuarit me arsim të lart kemi diku rreth 15.5 për qind të pa punë.

Në këtë mënyrë, sipas Pupovcit, kur një i ri ta përfundojë shkollimin çfarë do niveli të qoftë ai, të jetë në gjendje të filloj punën pa pasur nevojë për praktik ose trajnim. /kp/