Telegrafi

Mbi një mijë ankesa për ngritje të çmimeve, paralajmërohet hetim

Në Administratë Tatimore të Kosovës kanë arritur mbi 1 mijë ankesa për rritje të çmimeve nga bizneset. Gjitha këto, por edhe tjerat, ky institucion ka thënë se do t’i hetoj dhe do të marr vendime konform ligjit.

Mbi 1 mijë ankesa kanë arritur në adresë të Administratës Tatimore të  Kosovës, qytetarë këta që kanë shpreh shqetësimet e tyre, për rritjen e çmimit të mallrave esenciale dhe farmaceutike.

“Vetëm dje nga 10:00 deri në orën 22:00 kur kanë qenë të hapura linjat telefonike janë raportuar 1,183 raste, ku në kohë reale kemi reaguar duke marrë masa në terren. Është vërejtur që janë krijuar edhe tregje ilegale për të shitur një produkt bazik siç është mielli”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Valentina Bytyqi-Sefa.

Sipas Valentina Bytyqit, inspektorët janë duke ndërmarrë masa karshi kompanive të raportuara nga qytetarët, përcjell Telegrafi.

“Pos shumë thirrjeve telefonike, ka pasur denoncime të mëdha se bizneset nuk kanë printuar kuponë fiskalë. Me këtë rast janë shqiptuar ndëshkime administrative siç parashihen me legjislacion”, shtoi më tej, Valentina Bytyqi-Sefa.

Ngritjen e çmimeve, qytetarët e kanë raportuar në mallra ushqimore esenciale si dhe mallra mbrojtëse ndaj koronavirusit. /RTV Dukagjini/Telegrafi/