Site icon Telegrafi

Mbi miqësinë e të lexuarit

Marcel Proust

Nga: Marcel Proust (fragment)
Përktheu: Aurel Plasari

Padyshim miqësia, ajo që ka të bëjë me individët, është diçka lojcake, kurse leximi është edhe ai një miqësi, por së paku është miqësi e çiltër dhe fakti që ti i drejtohesh një të vdekuri, një munguesi, e bën leximin diçka të painteres, madje mallëngjyese.

Pos kësaj, është miqësi e dëlirë prej gjithë sa i bën të shëmtuara miqësitë e tjera. Dhe meqë të tërë ne, gjalluesit, nuk jemi veçse të vdekur që s’kemi hyrë ende në punë, të gjitha mirësjelljet, përshëndetjet te dera që i quajmë nderim, mirënjohje, besnikëri, me të cilat përziejmë edhe rrena pa fund, janë të shterpëta e të mundimshme. Jo vetëm kaq, por qysh prej shprehjeve të fillimit të simpatisë, admirimit, miradisë, të parat fjalë që shqiptojmë, të parat letra që shkruajmë thurin rreth nesh një rrjetë zakonesh, një mënyrë të vërtetë e të mirëfilltë të qeni prej së cilës nuk çlirohemi dot në miqësitë e njëmbasnjëshme, pa llogaritur që sakaq fjalët e tepruara që kemi thënë mbeten kambiale për t’u paguar ose që do t’i paguajmë edhe më shtrenjtë për gjithë jetën me keqardhjen që shlyerjen e tyre e paskemi shtyrë.

Ndërsa në lexim, miqësia të shpie menjëherë te pastërtia e vet fillestare. Me librat nuk ka kurrfarë lajkash. E kalojmë mbrëmjen në shoqërinë e tyre kur kemi me të vërtetë dëshirë ta kalojmë ashtu. Madje ndodh shpesh që të mos na bëjë zemra t’i heqim nga dora. Dhe, kur i lëmë nuk na çan kryet asnjë nga ato mendimet që e prishin një miqësi: Ç’menduan për ne? A mos vallë u sollëm pa takt? A u pëlqyem? Dhe as nga frika se mos na harrojnë për shkak të dikujt tjetër.

Të gjitha ankthet e lidhura me miqësinë zhduken në pragun e asaj miqësie të pastër e të qetë që është leximi.

Exit mobile version