1.
Ka kohë që nga nivele dhe subjekte të ndryshme në Kosovë ka nisë një diskutim mbi çështjen e futjes së mësimit fetar nëpër shkollat e Kosovës. Pikëvështrimet rrjedhin nga i gjithë spektri i gjerë i diskutuesve, dhe janë të nduarnduarta idetë dhe prirjet e qasjes karshi kësaj çështje.
Në vendet më të zhvilluara europiane kjo çështje është zgjidhur në forma të ndryshme, por është fakt se përveç Francës dhe Sllovenisë, pjesa tjetër e Europës në këtë apo atë mënyrë ka të integruar mësimin fetar në sistemin mësimor.
Nuk ka asnjë lëndë mësimore që ka provokuar më shumë shoqëritë gjithandej se kjo për të cilën mëton të debatojë ky artikull. Sidomos në njëzet vjetët e fundit të gjithë shoqëritë në Europë janë ballafaquar me batica e zbatica të këtij problemi. Sidomos në Gjermani (dhe, deridiku, Austri) kjo lëndë ka qenë e ruajtur nga sistemi i vjetër dhe nuk është përjashtuar asnjëherë nga planprogramet shkollore. Pas rënies së komunizmit dhe zgjerimit të Bashkimit Europian më 2004, kjo lëndë mësimore është futur të thuash në shumicën dërrmuese të planprogrameve shkollore të të gjithë shteteve europiane. Format dhe veçantitë e zhvillimit të mësimit në kornizat e kësaj lande dallojnë gjithandej, por gjithsesi fakt është që kjo lëndë është rregull dhe jo përjashtim në shkollat europiane. Por, këtu nuk duhet lajthitur se kemi të bëjmë katërcipërisht me mësim klasik fetar, dmth me mësim katekizmi, por me mësim didaktik pedagogjik, i cili ende nuk ka marrë formën e tij përfundimtare dhe vështirë që do të marrë ndonjëherë, pikërisht për shkak të nduarnduarshërisë fetare dhe lëvizjeve demografike gjithandej në Europë. Qëllimi i kryesor i të gjithë të involvuarve në përgatitjen e curriculave në këtë lëndë është barazpesha mes orientimeve të interesave shkollore të secilit nxënës, ndarjes së kishës dhe shtetit dhe kërkesave të shoqërisë, si absorbuese finale i proceseve.
Kërkesa e barazpeshimit është nevojë e diversitetit fetar në shtete të ndryshme si dhe prirjeve për kultivimin e religjionit në ato shoqëri. Se oferta e kësaj lënde në të shumtë s`është sfiduese për të rinjtë lidhet më shumë me kërkesat e moshës, ku konkurrenca dhe oferta e gjithmbarëshme është e pafund.
2.
Në një shoqëri demokratike është e paimagjinueshme që brezat e rinj të rriten pa një bazament plural në çështje të politikës, kulturës, shoqërisë dhe religjionit poashtu. Në vendet e zhvilluara ku ka ndodhur sekularizimi i jetës, çështjet fetare nuk përbejnë më një kryetemë, por kjo ka dhe një vektor të kundërt: dinamika e zhvillimeve të hovshme dhe kërkesat e kësaj dinamike përballë individit, familjes, janë aq të mëdha saqë ky individ rrezikon të izolohet shpirtërisht përballë çështjeve bazike shpirtërore dhe të shpërfaqet fragmentar, i pafuqishëm. Duke përkthyer këtë në kontekstin tonë jetësor, kosovar, ku standardi ekonomik lë shumë për të dëshiruar, kjo pafuqishmëri e individit rezulton në humbje të shpresave. Në këtë rezulton që feja të ngrihet në një instancë shpëtimtare, ku individët shpresëhumbur pastaj projektojnë vizionet e veta për të ardhmen e tyre. I vetmi sociolekt që u përshtatet dhe i shpëton nga humnerat depresive del të jetë gjuha e fesë, cilado qoftë ajo. Në këto raste rrezikon të realizohet ai përkushtimi iracional pas botëkuptimeve fetare.
Për këtë arsye është detyrë e shkollave që në klasat e fillores të fillojnë të trajtojnë çështjet fetare, historinë e religjioneve, në mënyrë që nxënësit që në rini të hershme të kenë një pasqyrë për nduarnduarshërinë fetare të botës. Po ashtu, kjo do të ndihmonte që fëmijët tanë të mos liheshin pre e shkollave të dyshimta private ku indoktrinohen me botëkuptime përjashtuese fetare, të cilat mund edhe të prodhojnë strukturim të rrezikshëm idesh.
Përdorimi i fesë, liria për të, liria për të shprehur atë, janë të garantuara edhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe pikërisht mbi bazë të kësaj, dhe assesi ndryshe, duhet të krijohet një diskutim dhe disponim fetar. Tendencat përjashtuese që mund të takohen në këtë apo atë cep të shoqërisë sonë, burimin e kanë pikërisht të mospasja e një strategjie iluministe edhe në këtë fushë. Një strategji e tillë duhet të krijohet dhe materializohet nga Qeveria, respektivisht Ministria e Arsimit dhe ajo e Kulturës.
Bazat e kësaj strategjie iluminizuese në rrafshin fetar duhet të ravijëzohen pikërisht në planprogramet shkollore, gjithnjë me neutralitetin shkencor dhe pluralitetin e trashëguar. Është e udhës që njëherë e mirë të fillohet të mendohet në këtë drejtim se në çfarë lënde nxënësit tanë do të mësojnë religjionet, historinë e tyre, botëkuptimet dhe domethënien që ato kanë në përditshmërinë e njeriut.
3.
Insistimi i ardhur nga ndonjëra parti në Kosovë për nevojën imediate të futjes së mësimit fetar në shkolla, nga sikleti dhe perspektiva se si thuhet, mund të përkthehet edhe si ide për të futur mësimin fetar të metodës konfesioniste nëpër shkollat tona. Kjo do të ishte gjëja më e rrezikshme për të ardhmen e vendit.
Metoda e tillë është moniste, përqendrohet në një dhe të vetmin religjion dhe zgjon idenë përjashtuese. Në një shtet shumëfetar siç është Kosova, dhe ku fetë tutje janë të ndara në sekte të ndryshme, është e paimagjinueshme të insistohet në një mësim fetar konfesional. Jo vetëm për faktin se kjo do të evoluonte me ndarje dhe largim të grupeve të caktuara mes vete, por se në esencë është antikushtetutare dhe e rrezikshme për paqen dhe demokracinë e vendit.
Së fundmi: qëllimi i mësimit fetar është reflektimi humanist e tolerant mbi botën dhe njerëzimin. Çfarë na duhet një mësim monist përjashtues, i cili pretendon të uzurpojë universalitetin e këtyre vlerave?