Nëse doni ta kuptoni se kush jemi, mbase do të duhej vizituar të dashurit që s’i kemi më, në varrezat tona, të cilat më parë se të tilla, ngjajnë në deponi bërlloku, të mbushura me baltë dhe me sensin e simetrisë së një të çmenduri… Nga kjo pikë do të duhej të fillonte debati për kthimin tonë në njerëz më të mirë, qoftë brenda fesë, qoftë jashtë saj. Megjithatë, edhe në këtë fushë jemi sui generis dhe për këtë shkak edhe zgjidhjet tona nuk duhet të jenë të importuara. Para debateve të kota për shami, më parë do të duhej të fillonim nga dobësitë tona praktike
SA MIRË QË BAJRAMI vjen dy herë në vit dhe kosovarët – pavarësisht besimtarë, ose jo, të moderuar, ose fanatikë – kryejnë dy rite që kanë për qëllim vizitat e të afërmve, miqve e dashamirëve, atyre që do të duhej t’i donim dhe do të duhej të na donin. Dhe janë dy lloje vizitash. Ato që zakonisht bëhen në mëngjes, për të dashurit tanë që s’janë më në jetë dhe ato që u bëhen bashkëfrymëmarrësve.
Me këta të fundit, të gjallët, ka kujdes maksimal, si nga nikoqirët, ashtu edhe nga mysafirët, duke iu kushtuar kujdes të veçantë dekorimit dhe pastërtisë së vendit të pritjes, veshjes me rrobat më të mira, përgatitjes së bakllavave më të ëmbla dhe bisedave jo të ngarkuara.
Krejt e kundërta ndodh me ata që s’janë më. Ballafaqimi me vendprehjet e të vdekurve tanë do të duhej të na shërbente për t’u skuqur, seriozisht dhe shumë. Të lënë krejtësisht pasdore.
Sigurisht, po të mos ishte Bajrami, si një vizitë imponuese, shumicës as që do t’u dallohej varri.
E KAM THËNË EDHE më parë: e vështirë për t’ia pranuar vetes, por mjafton që të shkosh në spitale, ose në varreza, dhe të fitosh përshtypjen më të plotë për shoqërinë në Kosovë. Njerëzit vijnë në jetë, në spitale, nën kushte mizerje, dhe largohen nga jeta për t’u prehur në varrezat, sërish në gjendje mizerable. E fillojnë ditën e parë të jetës në spitale me kushtet nën çdo standard të pranueshëm njerëzor dhe e përfundojnë atë nëpër varrezat që, më parë se të tilla, ngjajnë në deponi bërlloku, të mbushura me baltë dhe me sensin e simetrisë së një të çmenduri.
I fyer dhe i përçmuar në lindje, i poshtëruar dhe i padinjitet në vdekje.
Kush jemi ne, pra?
A s’tregon kjo gjendje, në radhë të parë, mosrespektin për vetveten?
Mirëpo vështirë të besohet se ndonjëri do të pranonte se nuk e respekton veten, megjithëse të dy situatat flasin qartë për këtë. Dhe me të drejtë. Por, gjendja është e veshur me mjerim të këtillë pasi që është paksa më e komplikuar se ç’duket. Secili, besoj, do të jepte gjithçka individualisht për të ndërruar këtë gjendje. Mirëpo, kur duhet të bashkohet edhe me një ose dy individë të tjerë, këtu vjen dështimi. Kosovari ka dëshmuar se mund të jetë shumë i suksesshëm kur punon vetëm. Mirëpo, fatkeqësisht, edhe në lindje, e edhe në vdekje, nevojitet edhe ndihma e të tjerëve, e kolektivit. Dhe për këtë jemi ku jemi. Edhe në ditën e parë të jetës, edhe në të gjitha ditët e tjera të amshimit.
ÇORODITJE, MESKINITET APO përparësi? Situata e përshkruar më lart, ajo që ka të bëjë me shkuarjen në amshim, ndonëse do të duhej t’i përkiste turpërimit të të gjithëve, do të duhej t’i bënte që t’ia vënin gishtin kokës posaçërisht ata që e praktikojnë fenë, në këtë rast islamin. Jemi dëshmitarë kohëve të fundit të debateve – për mua fare të parëndësishme për momentin, por me shumë implikime edhe të rrezikshme për të ardhmen – atë për shamitë dhe futjen e fesë nëpër shkolla.
Fanatikisht, vlerësoj se të gjitha debatet, duhet nisur nga premisat sa më të sakta, për të arritur në përfundime sa më të drejta, gjithmonë duke u ndërtuar mbi kontekstet specifike të vendit dhe të kohës ku ndodhin. Rrjedhimisht, në këtë debat do të duhej mos anashkaluar edhe shumë fakte:
se jemi shumicë myslimanë në Kosovë, por pakicë myslimanë në Evropë;
se jemi të vetmit myslimanë të bardhë (bashkë me boshnjakët) në të gjithë botën;
se feja shpesh na është përdorur nga armiqtë tanë për të na përçarë dhe për të na sulmuar, si në të kaluarën e edhe në luftën e fundit;
se jemi myslimanë për të cilën hynë në luftë 18 shtete të krishtera të NATO-s për të na shpëtuar nga një shtet tjetër i krishterë (e vetmja Turqia ishte myslimane, i 19-i shtet);
se jemi myslimanë të cilët me ndihmën dhe insistimin e parezevë të shteteve më të fuqishme krishtere e bëmë shtetin;
Tjetër – se jemi myslimanë që nuk bëjnë dallimin se të pish alkool është njësoj e ndaluar me fe siç është e ndaluar ngrënia e mishit të derrit (dhe se pimë alkool një natë para muajit të Ramazanit dhe vazhdojmë të njëjtën, pas agjërimit, në ditën e parë të Bajramit),
se jemi myslimanë që gjithmonë jemi mburrur me tolerancë ndaj feve të tjera,
se jemi konvertuar nga krishterimi në islam nga pushtuesi ynë pesëshekullor vetëm qindra vite më parë,
e shumë të veçanta të tjera, të cilat mund të jenë të mira, më pak të mira ose të këqija, por që na bëjnë të jemi këta që jemi.
Së këndejmi, ndonëse na është kthyer në klishe, edhe në këtë kontekst megjithatë jemi – sui generis. Dhe në këtë frymë do të ishte e panevojshme që të bënim hapa të mëdhenj, shpesh edhe radikalë në krahasim me praktikën e traditës sonë, duke dashur të bëhemi çfarë nuk jemi.
GJITHSESI, DO TË MUND të bëheshim më të mirë, jo domosdoshmërisht vetëm si myslimanë, por si njerëz në përgjithësi, në qoftë se fillojmë të synojmë të bëjmë ndryshime praktike të vogla në jetët tona, por më ndikime të mëdha. Vetëm në këtë mënyrë do të mund të krijonim heronj të rinj. Të tillë që do të vërejnë në praktikë dobësitë tona të dhimbshme dhe që do të punojnë konkretisht për t’i ndryshuar ato për të mirë. Qoftë për hatër të vetvetes, respektimit të familjes, të afërmve, etnisë, kombit e religjionit.
Heronjtë tanë të gjallë do të duhej t’i gjenim në varreza, të heronjtë tanë të vdekur. Krahasuar me aktin inicial – lindjen, dhe atë përfundimtar – vdekjen, të gjitha të tjerat do të duhej të ishin ngjanin të kota.
Tash për tash, varrezat tona janë turpi ynë.
E Bajrami vjen prapë.
adriatik@kohavision.net