Nga: Ali Podrimja (fjalë me rastin e marrjes së çmimit “Nikolas Lenau” në shtator 1999, që botohet po ashtu në rubrikën “Oaza” të Javores Politike Shqiptare – “Zëri”)
Alber Kamy thoshte se gjërat e bukura rastësisht lindin. Të themi, rastësisht ndodhi edhe takimi im i parë me Nikolaus Lenaun (1802-1850). Ndërmjetës u bë një poet i papërsëritshëm shqiptar. Ai quhet Lasgush Poradeci (1899-1987) dhe në bibliotekën time zë vend meritor.
Në mes dy luftërave botërore shkroi vetëm dy libra poezi dhe ca tekste diskursive. Pas Luftës së Dytë veten e shpalli për të vdekur. Në vendin e tij mungonte liria krijuese. Diktatura nuk kursente as vlerat. Mbasi ishte mjeshtër i fjalës dhe i tekstit, kulturën shqiptare bëri çmos ta pasurojë me përkthime. Përkthente shkrimtarët që i respektonte. Kjo ndodhi edhe me vëllimin poetik të Lenaut, ku kishte 514 vargje. U përkthyen në vitin 1962, por historia e tyre është e dhembshme. Vëllimi “ishte vlerësuar si i papërshtatshëm, pesimist, që binte në kundërshtim me normat e moralit të atëhershëm”. Sipas logjikës totalitare, “poezia e dhembjes”, siç u quajt vepra e Lenaut, nuk ishte poezi muskuloze, e angazhimit. Pas vdekjes së Lasgushit dorëshkrimi i poezive të përkthyera u shumëzua. Një kopje e kisha edhe unë. Ndërkaq, revista avangarde e Prishtinës MM, në vitin 1996 botoi një cikël nga ky vëllim i pabotuar.
Kështu nisi jetën në mes lexuesve shqiptarë Lenau…
Biblioteka ime personale kishte një gjysmë shekulli jetë. Aty mbaja gjallë kujtesën para të papriturve. Dhuna kur trokiti dhe në derën time, u desh të zgjedh: të bëhem numër apo të marr vrapin e maratonit. Vendosa për këtë të dytën. Njëra nga arsyet: të alarmoja dhe botën se ç’ndodhte në vendin tim. Si duket, isha vonuar. Bota i dinte të gjitha gati, përkundër propagandës së rreme të shovinistëve serbë.
Mbylla jo vetëm banesën. Çelësin tani bart më vete. Nën plotëfuqinë e tij, mendoja se ishte çdo gjë. Ditë më parë mësova se çelësi nuk kishte mundur të frenojë iracionalen. Serbët janë mjeshtër të çelësave. Kishin plaçkitur thuaja çdo gjë, por jo atë që vlente në shtëpinë time. Isha i lumtur, megjithatë. Biblioteka ime ishte aty. E derdhur. Bindesha prapë se vrasësit serbë ishin një kope e shthurur. Nuk dallonin ç’vlen edhe pse gjithandej Kosovës kishin lënë me qindra varre masive. Sjelljet e tyre nga njëherë u ngjanin atyre të komançerosëve të Perëndimit të egër. Fundi i tyre mbyllej me ethe.
Kur u njoftova për nderimin me çmimin “Nikolaus Lenau”, sërish kujtova bibliotekën time dhe këndin e Lasgushit aty, ku gjendet edhe vëllimi fatkeq i Lenaut në shqip. Isha kureshtar, ç’e shtyri Lasgushin të përkthejë poezitë e tij? Kërkoja ekvivalentët në kohën e romantizmit shqiptar, bile dhe në traditën e hershme, që kap afro pesë shekuj e që mendja e errët serbe bën çmos ta linçojë e të na paraqesë para botës në një dritë tjetër: si diç amorfe e kulturë e lindur më 1945. Është e qartë loja e shovinistëve: të fshihet lashtësia shqiptare mjaft e begatshme edhe në fushën e kulturës dhe të lancojë rrenën se serbët na janë autoktonë në tokën e huaj(!). Unë hulumtoj shkakun e përkthimit të poezive të Lenaut. Mos kishin diç të përbashkët poezitë e tij me të Budit (1566-1622) apo me sebilat e famshme të Pjetër Bogdanit (1630-1689), që i çmonte shumë Lasgushi?
Krijuesi shpesh në historinë shqiptare është edhe luftëtar. Bogdani, bie fjala, njihet edhe si prijës e mbrojtës i Kishës Shqiptare. Më vonë vepra e tij u përkujtua me botime, ribotime e simpoziume të ndryshme. Në oborrin e kishës sonë në Prishtinë, aty ku u vra, ka edhe një bust. Nga ballkoni i banesës sime e shihja çdo ditë këtë faltore shqiptare. Mirëpo, barbaria serbe nuk e kurseu as madhështinë e këtij kolosi, që ishte nderuar edhe nga Vatikani. Identiteti kombëtar shqiptar u bë i tmerrshëm për ata, që nuk dinë të nderojnë. Lufta në Kosovë ndodhi, para së gjithash, për shpërbërjen e së vërtetës mbi shqiptarët, që u shndërrua në kompleks nacional serb.
Kureshtja ime kristalizohej sapo mësova se kush ishte Lenau dhe nga vinte. Një prej arsyeve, pra, pse poeti shqiptar kishte shqipëruar një vëllim poetik të Lenaut, ishte se poezia e tij ngërthente shqetësime të mëdha njerëzore, të thëna përmes një gjuhe të afërt me poetikën shqiptare. Ndarjen nga vendlindja Lenau e kishte përjetuar rëndë. Artikulimi është bërë përmes një sensibiliteti të mahnitshëm. Në hapësirën gjermanofone, ky hyri me imazhin gri të vendlindjes. Vetë mbyllja e jetës së tij tregon se ishte një shpirt i trazuar. Disi kjo ndjenjë e kishte përcjellë edhe poetin shqiptar gjatë studimeve në Grac të Austrisë dhe në Bukuresht, ku kaloi një pjesë të jetës. Lasgushi kishte vërtet veti geniu. Bile edhe aventura kishte dorë në kreativitetin krijues. Të dashurën, tregojnë, e kish ndjekur tërë Shqipërisë me aeroplan. Zatën, shpirti rebelues ishte që, falë tij, unë hyra në botën imagjinative të Lenaut dhe çmimi, që mban emrin e tij, nderon edhe popullin tim.
E ç’kam të përbashkët me Lenaun?
Së pari, deportimin nga Ballkani nevrik. Dy shekuj bëhen qëkur poeti braktisi Banatin, në rrethana të panjohura ndoshta. Të njëjtin fat përjetova dhe unë në mbyllje të shek. XX, kur braktisa vendin dhe përpiqem të krijoj atë që humba: lirinë. Së dyti, të dytë bartim traumat, dhembjen njerëzore, ankthin, ëndrrën për vendin e shpërbërë. Së treti: nuk jemi të fundit nga familja e poetëve që zgjohemi në ekzil.
Në udhëtimin tonë ka diç, megjithatë, që na dallon. Lenau nuk pati fatin të lexojë edhe vizuelisht Biblën, të jetë numër në maramendthin njerëzor të kohëve moderne. Iracionalja serbe, që mund të interpretohet edhe si turp nacional serb, na bindi se shumëçka nga historia njerëzore u përsëritka, në forma më të përsosura dhe më të egra ndoshta, e sidomos kur ballafaqohesh me mjeshtër të çelësave. Ne qenkemi variant i fatlumit njerëzor.
Përkohësisht lashë vendin tim. Më bëhet se të përgjakura i kam tani fjalët me të cilat përpiqem të bëj portretin e popullit tim, pa i lënduar të tjerët. Nga historia dihet se këtij populli toleranca i kushtoi shtrenjtë: me humbjen e vazhdueshme të hapësirës jetësore-historike. Në këtë tragjizëm në të kaluarën patën dorë edhe padrejtësitë e Evropës. Antishqiptarizmi serbogrek lancoi më të zezën, duke zhvleftësuar dhe gjërat e shenjta si gjuhën, kulturën e historinë shqiptare. Pseudoshkenca serbe shkoi aq larg sa shqiptarët i shpalli njerëz me bishta (V. Gjorgjeviq). Këtë e trumpetuan kudo përmes propagandës shurdhuese. Në të vërtetë, shqiptarët nuk kanë asgjë të përbashkët me ardhacakët. Sidoqoftë, nga kjo paranojë e rëndë vendi im pësoi derisa ndodhi edhe katastrofa njerëzore në Ballkan (1999), dita kur çelësin e shtëpisë e vura në xhep dhe kapërceva vijën e kuqe.
Për morbiditetin serb nuk mund të thuhet se bota nuk dinte, por unë mbeta pa kujtesë. Çmimi “Nikolaus Lenau” ma kujton të shkuarën. Nuk humbet çdo gjë. E mësova këtë edhe nga humanizmi i popullit tim të simbolizuar fuqishëm edhe përmes figurës së shenjtëreshës shqiptare të kohëve tona, Nënës Tereze. Ajo na këshilloi: dëshpërimi është dhe shpresë. Shkoi më larg se ekzistencialistët.
Lenau vinte nga monarkia Austro-hungareze, me një qytetërim pak më dinjitoz, ku kihej kujdes edhe për kujtesën. Në vendin tim ndodh gjenocidi. Nocionet luftë dhe shfarosje përzihen shpesh nëpër metropolet evropiane. Pse veprohet kështu, e dinë ata që merren edhe me tregti popujsh. Qesharake është të flitet, po ashtu, për simetrinë midis viktimës e xhelatit. Tentimi i tillë bën të dyshosh se e sotmja njerëzore nuk është ngopur me Bllacën biblike. Ende ia kënda të shohë gjëra morbide. Fqinjtë e mi treguan egërsi. Qindra varre masive i akuzojnë; qindra mijëra shtëpi të rrënuara, mbi një mijë institucione edukativo-sociale; qindra objekte historike; i akuzojnë një numër i madh njerëzish, që nuk dinë ende a ka përfunduar gjuetia serbe në shqiptarë, as nuk dinë ku shkojnë, se kanë humbur edhe orientimin. Nëse ky morbiditet nuk dëshmon se në Kosovë ndodhi gjenocidi, atëherë ç’është morali?
Në Banatin e Lenaut në Rumani nuk kam qenë. Di për krahun tjetër të kësaj hapësire në ish-Jugosllavi; se ç’ndodhi me bashkëkombasit e poetit e pata të qartë sapo lexova Elaboratin famëkeq të Vasa Çubriloviqit, të shkruar në vitin 1937. Në detaje aty jipen udhëzime për dëbimin e zhdukjen e të tjerëve, që nuk përkojnë me racën sllave. Një variant i këtij elaborati, i plotësuar edhe nga ca të tjerë, u zbatua në vendin tim. Me gjithë kamuflimet serbe para botës, racizmi serb është i hershëm dhe i pranishëm.
Pakëz veten e ndiej të hendikepuar në këtë moment. Bashkëkombasit e poetit nuk mund t’i përshëndes në gjuhën e tij. Edhe kjo ka një shkak. Mirëpo, për kulturën e historinë shqiptare shkencat gjermane bënë shumë. Ndër të parat u deklaruan se shqiptarët janë pasardhës të ilirëve dhe se gjuha shqipe i takon grupit të gjuhëve indoevropiane. Edhe Lajbnici i madh u pat tërhequr vëmendjen se atje në Ballkan jeton një popull i lashtë. Në mbyllje të shekullit XX, fatkeqësisht, fqinjët e mi tentuan ta shkulin me rrënjë, të lirohen nga kompleksi shqiptar.
Ky çmim ka domethënie të veçantë për mua se mban emrin e një poeti të deportuar nga e njëjta hapësirë dhe nderime të këtilla mund të bëjnë kultura e popuj dinjitozë, siç është vendi dhe populli juaj. Shtëpinë a do ta çel prapë me çelësin tim, varet edhe nga kurajoja njerëzore: si do ta përdor lirinë. Në momentin e pikërishëm, frikësohem se ne shqiptarët mos u infektuam nga fqinjët tanë me nacionalizmin. Vështirë të heshtin hasmëritë dhe të lirohen ballkanasit nga e keqja. Është koha ndoshta të mos shikohemi përmes nishanit.
Në poezinë Njëherë dhe tash nga vëllimi Lirika – Berlin 1920. Lenau thotë:
…tek vendi i vjetër
Është dritë e fatit tim.
Poeti ishte i hershëm. Unë jam më i vjetër se ai. Për këtë me një rast tjetër. Nuk thuhen të gjitha menjëherë.
/Telegrafi/