Site icon Telegrafi

Mbi dy vjet në paraburgim, vendimi ndaj Salih Mustafës javën e ardhshme

Dënim fajësie me 35 vjet burgim ka kërkuar Zyra e Prokurorit të Specializuar për ish-pjesëtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, për të cilin pretendon se ka kryer krime lufte.

Por njohës të proceseve gjyqësore në Kosovë, thonë se nëse Mustafa shpallet fajtor, ligji më i favorshëm për t’u aplikuar është ai i ish-Jugosllavisë, i cili dënimin maksimal për krime lufte e parasheh deri në 20 vjet. Ky është aktgjykimi i parë për krime të pretenduara të luftës që shpallet nga Specialja që prej themelimit të saj shtatë vjet më parë.

Shpalljen e aktgjykimit ndaj tij, Mustafa do ta dëgjojë më 16 dhjetor në Dhomat e Specializuara në Hagë, pas më shumë se 2 vjet qëndrimi në paraburgim.

Vendimi i bërë publik në faqen e gjykatës thotë se shpallja e aktgjykimit do të bëhet në prezencë të të akuzuarit, përveç nëse mungesa e tij arsyetohet me rrethana të jashtëzakonshme. Tutje shkruan se aktgjykimi shpallet në emër të popullit të Kosovës.

“Sipas rregullit 159(2) të Rregullores, aktgjykimi ose përmbledhja e tij do të shpallet publikisht në emër të popullit të Kosovës dhe në prani të të akuzuarit, përveç nëse rrethanat e jashtëzakonshme e arsyetojnë mungesën e tij… Paneli me këtë rast: a. CAKTON shpalljen e aktgjykimit për ditën e premte, më 16 dhjetor 2022 nga ora 09:00 deri në ora 10:30, në seancë publike; dhe b. URDHËRON që z. Salih Mustafa të jetë fizikisht i pranishëm në sallën e gjyqit në selinë e Dhomave të Specializuara”, thuhet në vendimin e turpit gjykues.

Medina Kadriu e cila monitoron seancat e Gjykatës Speciale, thotë se nëse Mustafa shpallet fajtor, atëherë ligji më i favorshëm për t’u aplikuar është ai i ish-Jugosllavisë, i cili dënimin maksimal për krime lufte e parash deri në 20 vjet.

“Nëse i referohemi kohës kur pretendohet se janë kryer veprat penale atë kohë ka qenë në fuqi ligji i ish Jugosllavisë ku njëherë për këto vepra penale ka qenë i paraparë burgim i përjetshëm mirëpo më pas misioni i UNMIK-ut e ka shfuqizuar këtë dhe është përcaktuar se për krime lufte një person mund të dënohet maksimalisht me 20 vite burgim, ndërsa si dënim maksimal për krime kundër njerëzimit e ka përcaktuar dënimin prej 40 vitesh burgim. Në rast se zoti Mustafa shpallet i fajshëm nga turpi gjykues atëherë ligji më i favorshëm për tu aplikuar është ligji i ish-Jugosllavisë i cili e ka paraparë dënimin maksimal deri në 20 vite”, thotë Kadriu.

E pas shpalljes së aktgjykimit, varësisht nga përmbajtja e tij, palët kanë të drejtë t’i drejtohen Gjykatës së Apelit.

Nëse Mustafa shpallet i pafajshëm, ZPS mund të kërkojë ndryshimin e aktgjykimit apo kthimin e rastit në rigjykim. Ndërsa nëse i njëjti shpallet fajtor, mbrojtja mund të kërkojë lirimin e tij nga fajësia, uljen e dënimit apo kthimin e rastit në rigjykim.

“Pas përfundimit të kësaj faze, pra apeluese palët kanë të drejtë ankese apo mund t’i shfrytëzojnë mjetet e jashtëzakonshme juridike të cilat drejtohen në Gjykatën Supreme, përderisa për të gjitha pretendimet që mbrojtja mund t’i ketë lidhur me shkeljen e të drejtave të të pandehurit të cilat i garantohen me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me konventat e ndryshëm ndërkombëtare, ai mund t’i drejtohet edhe Gjykatës Kushtetuese”, shton ajo.

Ndërsa në Organizatën e Veteranëve të Luftës se Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, konsiderojnë se kjo gjykatë merr vendime të dirigjuara nga politika.

Ushtruesi i detyrës së kreut të kësaj organizate, Faton Klinaku thotë për KosovaPress, se nuk kanë shumë shpresë për një vendim të drejtë ndaj Salih Mustafës.

“Prej kësaj gjykate speciale diçka mirë nuk presim për shkak se qysh prej themelimit të saj e kemi konsideruar që është gjykatë politike. Pastaj ju e dini çfarë vendimi kanë marrë ata ndaj krerëve të organizatës dhe përderisa marrin aso vendime që t’i dënojnë njerëzit për fajet e tyre, natyrisht që nuk shpresojmë shumë edhe në vendimin që do ta marrë ndaj Salih Mustafës. Ata me siguri që do të marrin vendim në bazë të direktivave politike e pastaj është çështja e ankesave në shkallën tjetër”, thotë Klinaku.

Procesi ndaj Mustafës në Hagë është përcjellur me zvarritje sa i përket procedurës paraprake e cila ka zgjatur mbi 11 muaj.

Mbrojtja e ish-pjesëtarit të UÇK-së ka pasur ankesa lidhur me vonesa në nxjerrje të materialeve, në përkthime si dhe redaktime të shumta.

Gjykimi ndaj Mustafës ka nisur më 15 shtator të vitit 2021 dhe janë mbajtur seanca në 52 ditë.

Janë tetë persona që të cilët pretendojnë që janë viktima dhe që kanë marrë pjesë në këtë proces gjyqësor, ndërsa janë dëgjuar 14 dëshmitarë të ZPS-së dhe 15 të mbrojtjes.

Shumë nga dëshmitarët e prokurorisë kanë qenë të mbrojtur, identiteti i të cilëve nuk është bërë i ditur për publikun.

Në fillim të këtij procesi, Salih Mustafa, ndaj të cilët rëndojnë akuza me pretendimin për krime lufte, ishte deklaruar i pafajshëm para trupit gjykues. Ai po qëndron në paraburgim në Hagë prej 24 shtatorit të vitit 2020 kur është arrestuar.

Sipas Dhomave të Specializuara “Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave”. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se “në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”./KP/

Exit mobile version